0030 210 33 18 483

Neranxi -Thirrje qeverisë dhe pushtetit lokal: Ndihmoni biznesin që kjo epidemi të mos krijojë katastrofë ekonomike!

TV TRIBUNA 11 Mars 2020

Situata ne koronavirusin në Shqipëri do të ketë sigurisht impakt edhe në ekonominë e vendit. Përndryshe, kjo po vërehet në gjithë botën, ku ekonomitë më të përparuara kanë shënuar faktikisht humbje mjaft të mëdha.

Por në kushtet e Shqipërisë, ku dominon biznesi i vogël, ky impakt do të jetë shumë më i ndjeshëm.

Pavarësisht “gërnjës” për motive politike, reagimi i qeverisë shqiptare ndaj rrezikut të epidemisë së COVID-19-s, ka qenë përgjithësisht i shpejtë dhe në mënyrën e duhur.

Mirëpo, krahas masave emergjente, nevojiten edhe masa për mbështetjen e biznesit. Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, Nikollaq Neranxi, i ka bërë thirrje qeverisë pikërisht për këtë çështje.

Kujtojmë se në vendet fqinje me Shqipërinë, si Italia dhe Greqia, shteti është përkujdesur që të marrë masa dhe në përkrahje të bizneseve. Në Greqi, p.sh., një nga masat që po shqyrtohet dhe pritet të shpallet nga kryeministri, është që ato biznese, ku punonjësit do të duhet të qëndrojnë në shtëpi që të përkujdesen për fëmijtë e mitur, kostoja e pagesës së tyre do të përballohet bashkarisht nga shteti, biznesi dhe punonjësit.

Kështu që, mirë është që qeveria shqiptare ta dëgjojë zërin e biznesmenit të njohur Nikollaq Neranxi, i cili përfaqëson një grup interesi shumë të madh, atë që në çdo vend cilësohet si “shtylla vertebrore” e ekonomisë.

Më poshtë vijon thirrje drejtuar qeverisë.

Në ditët e vështira që po kalojmë, si qytetare por edhe si sipërmarrës, vendimmarrja e shpejtë dhe solidariteti, janë domosdoshmëri. Duke marrë edhe eksperiencën e vendeve të tjera, se si po e përballojnë epideminë e Koronavirusit, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë (ShMTTSh), i kërkon pushtetit qendror dhe lokal të marrë disa masa me karakter ekonomik.

Deri tani na është thënë që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe biznesit i kërkohet t’i paguhet paga, prindit që do të rrijë me fëmijën. Kërkohet me të drejtë mbyllja e shumë bizneseve ku ka kontakte të afërta mes njerëzish. Ndërkohë nuk dëgjuam se çfarë kjo qeveri do të bëjë, për t’i krijuar mundësi këtij biznesi të qëndrojë në këmbë, i cili edhe pa rënë virusi, ka kohe që zvarritet në kufijtë e mbijetesës. Që të ndihmojmë punonjësit të mbajnë vendet e punës, që të mos pushojmë njerëz nga puna në këtë situate të vështirë, që të lehtësohen problemet financiare që shkaktohen nga rënia e konsumit, ShMTTSh propozon si më poshtë:

- Lehtësim të barrës fiskale! Heqje të disa taksave dhe tarifave të cilat edhe në situata jo emergjente, janë të tepërta.

- Mos aplikim i kamatëvonesave në pagesat e faturave të ujit dhe të dritave.

- Mos aplikim i gjobave për vonesa në pagesat e TVSh apo tatim fitimit.

- Negocim me bankat për shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive.

Emergjenca sanitare dhe emergjenca ekonomike duhet të trajtohen me të njëjtin seriozitet.

 

Nikollaq Neranxi

Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë

Ndaje me miqte