0030 210 33 18 483

Nestor Dede: Mbi bashkimin dhe bashkëpunimin

Nestor DEDE 01 Maj 2018

27 vjet pas eksodit masiv Shqiptar, ikëm për pak - ngelëm për fare. U ingranuam në shoqeritë e sistemet pritëse dhe hodhëm rrënjë në to. Për shkak të afërsisë, të mentalitetit të përbashkët, shumica u vendosëm në Greqi.

Jemi një shumicë e konsiderueshme këtu, por edhe përbërja dhe forma e organizimit lënë për të dëshiruar. Si dhe në Shqipëri, emigrantët këtu janë te ndare nga dilemat partiake shqiptare dhe as fati i përbashkët nuk na nxjerr nga guacka e meskinitetit, zilisë dhe kapadaillëkut anadollak.

Përulja ndaj “pushtetit” dhe karshillëku ndaj shoshoqit fatkeqësisht po bëhen sistem. Bashkëpunimi edhe këtu ngelet në një premtim “elektoral”, të veshurit me “pushtet” verbon a fshin të gjithë vizionet e ambiciet për bashkim që kanë shfaqur më parë. Nga persona të veçantë pengohen dhe sistematikisht!! As për çështje që ndikojnë direkt në qëndrimin, jetën e perspektivat tona nuk tentojnë të qëndrojne e të dëgjojnë njeri - tjetrin. Nuk njohim as specialist e as kontribut. Debutojmë me mllefe, cmirë për shoshoqin duke shtyre çdo potencial njerëzor intelektual a sasior në indiferentizëm.

Diskutimi i projektligjit të ri për lejet e qëndrimit javën që shkoi fatkeqësisht tregoi edhe njëherë këto fenomene. Nese dikush në një forme a një tjetër këto sfida i përballon me një tentativë profesionale, nuk mund të jetë e pranueshme që të luftohet kjo përpjekje as nga ata që bënë të vetmin mundim të perkthenin dhe firmosnin një deklaratë të vakët dhe pa alternativa konkrete. Nuk marr nën mbrojtje asnjeri, sepse secili ka punën dhe personalitetin e tij. Por theksoj që edhe një herë lamë jashtë zhvillimeve veten dhe me keq akoma, bashkëkombësit që pretendojmë se përfaqësojmë. 

Kur një përfaqësi tenton të konkurrojë me bazën e saj, doemos një ditë do të gjendet në ajër. Problemi për mua qëndron nëse këta të “zhgënjyer” do të besojnë dot më në një bashkëpunim, bashkërendim dhe bashkim ?! Apo do të qëndrojnë larg çdo forme bashkëpunimi?! Këto zhvillime do të lënë përfundimisht në baltë përpjekjet për bashkërendim te bashkëpunimit reciprok në favor te interesave të komunitetit shqiptar këtu, dhe do të ndihmojnë në asimilimin e shpejtë të tij.

Në Greqi të drejtat na janë njohur me vonë se në çdo vend tjetër të rruzullit tokësor. Jemi përdorur si mjet presioni ndaj politikave të brendshme dhe të jashtme Shqiptare. Çdo të drejte e kemi marrë vetëm për arsye të përshtatjes të legjislacionit grek ndaj atij komunitar. 

Ka shumë njerëz që me iniciativë dhe investim personal janë munduar të organizojnë emigrantët Shqiptarë këtu, dhe se fundmi të bashkojnë organizmat e tyre, si ato të pavarura ashtu dhe ato të mbledhura në bashkime më të mëdha, por kanë dështuar për arsyet që thashë më lart. Rasti me i fundit, dështimi i Nëntorit të shkuar. Fatkeqësisht nuk kanë munguar në radhët tona dhe ata që kanë fërkuar duart të gezuar pas dështimeve...



KONKLUZION

Të ardhurit bashkë - është një fillim!

Të qëndruarit bashkë - është përparim!

Bashkëpunimi - është sukses!



*) Autori është biznesmen dhe aktivist i emigracionit e shoqërisë civile

Ndaje me miqte