0030 210 33 18 483

Nga 16 gushti, vetëm 750 veta në ditë nga Kakavija. Testi PCR, i detyrueshëm për cilindo që vjen në Greqi

TV Tribuna 10 Gusht 2020

Që nga data 16 gusht, nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës do të lejohen të hyjnë në Greqi vetëm 750 persona në ditë.

Ndërsa nga 17 gushti, kushdo që do të hyjë në Greqi nga pikat tokësore të kalimit kufitar, do të duhet të paraqesë testin negativ për koronavirusin (PCR).

Ky test duhet të jetë kryer në Shqipëri deri në 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar.

Këto janë dy nga gjashtë masat që u vendosën gjatë një telekonference të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis me profesor Sotiris Tsiodras.

Masat u komunikuan nga zëvendës zëdhënësja e qeverisë greke, Anastasia Peloni.

“Pas telekonferencës që zhvilloi kryeministri Kyriakos Mitsoakis me ministra dhe kreun e komitetit të epidemiologëve, prof. Sotiris Tsiodras dhe në vazhdim të rekomandimit të komitetit, u vendosën këto masa:                                    

1. Panairi Ndërkombëtar i Selanikut, i planifikuar të zhvillohet nga 5-13 shtator, do të pezullohet. Kryeministri do të gjendet në Selanik për fjalimin e tij që do të mbahet para një auditori të kufizuar.

2. Mbi bazën e ecurisë dhe të të dhënave epidemiologjike, u vendos që nga data 17.08. për hyrjen në Greqi është e detyrueshme praqitja e testit negativ për koronavirusin (PCR), që duhet kryer deri 72 orë përpara për të gjithë ata që udhëtojnë me fluturime nga vendet e mëposhtme: Suedi, Çeki, Belgjikë, Spanjë, Holandë.

3. Sa u përket kufijve tokësorë, nga data 17.08. 2020, është e detyrueshme praqitja e testit negativ për koronavirusin (PCR), për gjithë ata që hyjnë nga kufijtë tokësore. Testi duhet të jetë kryer deri 72 orë përpara hyrjes në Greqi. Detyrimi i paraqitjes së testit përfshin gjithashtu qytetarët grekë dhe qytetarët që kanë leje qëndrimi. Testi duhet të jetë kryer në vendin e nisjes.

4. Nga data 16.08., vendoset tavan për numrin e lejueshëm të hyrjes së qytetarëve nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës. Konkretisht, nga data 16 gusht do të lejohet kalimi i 750 personave në ditë.

5. Pezullohet në të gjithë vendin çdo aktivitet publik ku pjesëmarrësit qëndrojnë në këmbë, përfshirë koncertet dhe spektaklet.

6. Mbi bazën e të dhënave dhe ngarkesës epidemiologjike u vendos që nga 11 deri 23 gusht, të ndalohet funksionimi i lokaleve (të ushqimit dhe kafeve) nga ora 12 e mesnatës deri në orën 7 të mëngjesit, në zonat që vijojnë:

Periferitë e Kretës, Maqedonisë Lindore dhe Thrakës, Njësitë rajonale Selanik, Halkidiki, Larisa dhe Korfuz,

Bashkitë Mikonos, Paros, Santorini, Volos, Katerini, Rodos, Antiparos, Zakinthos, Kos.

Ndalimi mund të shtrihet edhe në zona të tjera apo dhe në bazë horizontale, në varësi të zhvillimit të të dhënave epidemiologjike”, përfundoi zëdhënësja.

Kujtojmë se më herët, qeveria greke ka vendosur që kushdo që hyn nga Shqipëria në Greqi pas datës 16 gusht, duhet të qëndrojë 7 ditë në karantinë, në adresën që do të ketë deklaruar te formulari PLF.

Ndaje me miqte