0030 210 33 18 483

Nikollaq Neranxi: Çfarë do të bëj unë më 30 qershor...

Nikollaq NERANXI 27 Qershor 2019

Padyshim që nuk do të shkoj në votime ose në zgjedhje siç thonë “rilindasit”; dhe kjo për arsyen e thjeshtë se nuk kam mundësi të zgjedh.

Nëse ka akoma njerëz në dilemë se çfarë duhet të bëjnë më 30 qershor, po ju kujtoj shkurtimisht se çfarë ndodhi në 6 vitet e qeverisjes së Rilindjes dhe më pas, me siguri do të vendosni njësoj si unë, të mos kontribuoni duke i dhënë legjitimitet një maskaradë si kjo!

“Tërmeti” që shkaktoi Rilindja:

- Ekonomia është shumë më keq se çka qenë dhe shifrat nuk janë të interpretueshme, ato janë aty kokëforta, duke na kujtuar se varfëria është thelluar dhe përhapur!

- Shqiptarët kanë lënë vendin e tyre në mënyrë aq masive, sa vetëm nga një luftë ose nga një diktaturë e egër mund të ikësh në shifra kaq alarmante!

- Biznesi është më keq se asnjëherë! Krahas taksave dhe tarifave super të larta të Rilindjes dhe shërbimeve të munguara, konsumi ka rënë si dhe konkurrenca e pandershme e ka bërë biznesin të jetojë si në reanimacion! Paratë e drogës janë injektuar në sipërmarrje të ndryshme të cilat nuk i konkurron dot dhe je i destinuar të falimentosh! Klientët e pushtetit gjithashtu kanë përqendruar çdo gjë në duart e tyre duke e thelluar dhe përhapur krizën ekonomike në çdo qelizë të shoqërisë!

- Gjate qeverisjes së Rilindjes iu vodhën në mënyrë masive tokat në bregdet, pronarëve të ligjshem të cilët nuk arritën ta gëzojnë pronën e tyre! Nga ana tjetër, kemi parë që janë nxjerrë me dhunë njerëz nga shtëpitë e tyre sepse pushtetit ashtu i deshi qejfi, disave t’ua legalizojë shtëpitë e disa të tjerëve t’iu shkatërrojë jetën duke i nxjerrë në rrugë! Mos i harroni kurrë lotët e atyre fëmijëve që mbetën pa shtëpi dhe iu shkatërruan ëndrrat që në hapat e parë të jetës!

- Hajdutëria, korrupsioni, arroganca, injoranca dhe çdo ves tjetër, është ngritur në sistem këto vite me shumë se kurrë më parë!

Edhe nëse për një moment dikush mund të bindet për të votuar kandidatin e socialistëve të qytetit të tij, më thoni, a dëgjuat në këtë fushatë se çfarë programi ka ai për 4 vitet e ardhshme? Zero! Vetëm fallin me filxhan dhe barcaletat e Ramës, asgjë tjetër nuk dëgjuam! Dhe kjo e ka një shpjegim: Si në zgjedhje vendore dhe ato të përgjithshme, rilindasit asnjëherë nuk kanë pasur një program se si të rrisin ekonominë, punësimin, standartin e jetesës, shërbimet ndaj komunitetit! Asnjëherë! Asgjë! Timoni, tepsia, filxhani dhe barcaletat vulgare, nuk janë platforma për të të kërkuar votën, por mjete për të të poshtëruar!

Unë e di që Rama do të arrijë t’i bëjë votimet! Ai ka gjithë shtetin në dorë dhe ka dhënë prova që di ta përdorë atë në mënyrën më të keqe të mundshme! Të dielën do të shohim të angazhuar, policinë, ushtrinë, ndërhyrjen e shpejtë, cunat problematikë të Damianit, bandat që bëjnë ligjin në zonat e tyre! Të gjithë për të demonstruar forcën se në këtë vend do bëhet siç thotë i gjati dhe pikë!

Këto ditë kam lexuar reagimet e shumë intelektualëve të cilët thonë se do t’i pengojnë zgjedhjet, edhe nëse i fusin në burg! Në fakt kanë të drejte! Ky vend tashmë është shndërruar në një burg të madh! Si brenda, si jashtë nuk bën asnjë ndryshim! Madje nga ky status edhe unë mund të rrezikoj burgun me akuzën agjitacion dhe propagandë!

Megjithatë, në këto momente, nuk ka gjë më të gabuar se sa indiferenca dhe mospërfshirja në dhënien e kontributit të secilit që të ndryshojmë fatin e keq që na ra për pjesë!

Nëse je një qytetar i përgjegjshëm dhe nëse do që ky vend të bëhet i jetueshëm për të gjithë, me siguri ti nuk do të votosh të dielën!

#Edheunë kundër 30 qershorit!

Ndaje me miqte