0030 210 33 18 483

Nikollaq Neranxi, shembulli i munguar i bamirësve shqiptarë

Robert Goro 03 Maj 2018

Nikollaq Neranxin e kam patriot dhe mik të lashtë. Jemi të dy “bij të Spilesë” -lagjes qendrore të Himarës- dhe megjithëse pak më i madh se unë, u gjendëm shpeshherë -ashtu si dhe të tjerë- në veprimtaritë e ndryshme që organizonte shkolla jonë e mesme. Kjo miqësi, me pauzat e shpjegueshme për shkak të angazhimeve të secilit, vazhdoi dhe vazhdon, plus që kemi fatin ta ndjekim njeri tjetrin në pozicionimet publike (rroftë Facebooku!...)

Gjithë sa rreshtova më lart, nuk e shpjegojnë titullin dhe as përligjin ekzistencën e këtij shkrimi.

Prandaj po hyj menjëherë në temë:

Shkas për t’u ulur e shkruar këto radhë, u bë një status në Facebook i zonjës Ajtanga Lubonja. Nuk e njoh personalisht, por statuset e saj i ndjek me vëmendje, pse pasqyrojnë një botë reale e cila i mungon axhendës së tejfryrë budallallëqesh të aktualitetit shqiptar. Duhet të jetë një njeri i vetmuar, e papunë, pa ndonjë përkrahje e mbështetje, që shpesh mund të bjerë në gjendje depresioni e dëshpërimi, por që rrezaton një kulturë të vërtetë, ka një botë të brendshme kaq të pasur e të pastër, sa nuk gaboj po të them që përbën një rast të përvetshëm – të paktën mes atyre që “guxojnë” e zbulojnë publikisht shpirtin e tyre.

Tani do të thoni, se ku “ngjit” Neranxi me Ajtangën... Po jua them:

Biznesmeni i njohur prej disa kohësh i paguan Ajtangës faturën e energjisë. Por ajo vendosi vetëm tani ta bëj publik këtë fakt. Nuk e bëri më përpara pse, siç thotë, “më dukej sikur e fyeja. Ai bën kaq shumë bamirësi, është me zemër kaq të madhe... sa ky falënderimi im do të dukej si "servilizëm"! E ndjeva se duhet ta shkruaja... Çdo ditë që kalon, bëhem më keq dhe MIRËNJOHJEN DHE RESPEKTIN TIM PËR Z.NIKOLLAQ NERANXI, dua t’jua përcjell të gjithëve! FALEMINDERIT!!!”

Gjithçka nisi kur Ajtangës një ditë prej ditësh, i erdhi në duar fatura e energjisë “me shifra alarmante”. E shkruajti këtë fakt në Facebook dhe pas pak iu bë një telefonatë, që ajo thotë se ishte “dritë në terrin tim, ishte frymëmarrje, ishte jetë!”.

“Zonja Lubonja, sa të keni jetë, energjinë do t’jua paguaj unë”.

“Më përshëndeti duke më uruar shëndet dhe e mbylli telefonin”,
vazhdon rrëfimin Ajtanga. “Ngela me gojë hapur, rrotulloja sytë nëpër dhomë, kërkoja lotët, por isha mpirë. Pyetjet si, qysh, tek, rrihnin si çekan në kokën time. Enigmën ma zgjidhi kompania Neranxi. Çdo muaj, përfaqësuesi i kompanisë, pasi konfirmon nga unë shifrën e lekëve të faturës së energjisë, më sjell lekët. Dhe ky gjest fisnik bamirësie vazhdon...”.

Ky nuk është i vetmi gjest bamirësie i Nikollaq Neranxit. Mbaj mend se, kur ishte pjesë e parlamentit shqiptar, rrogën e deputetit e jepte të gjithën për njerëzit në nevojë në zonën e tij zgjedhore, në Kërrabë dhe vazhdimisht çonte aty makina me ndihma. Dhe këtë nuk e bënte për të fituar apo për “të blerë” votat e tyre – përndryshe nuk kandidoi në asnjë legjislaturë tjetër. Por e bënte pse kështu ia thoshte shpirti. Ai shpirt që ka si metër e si kut vetëm ndërgjegjen vetiake dhe që e ka orientuar në gjithë punët e mira që ka bërë në jetën e vet. Që nga studimet e larta e peripecitë e emërimit, punën e vështirë -po tepër të vështirë!- si emigrant dhe përpjekjet e vazhdueshme për të ngritur gur pas guri atë stoli, atë gur rubini, që sot ka emrin Kompania Neranxi, duke e merituar plotësisht lajtmotivin e vet: “ne jemi një hap më përpara”.

Nikollaq Neranxi është një hap më përpara edhe në terrenin e thepisur të veprimtarisë humane dhe shoqërore. I pari në krah të bashkëqytetarëve të tij që kërkojnë tokën dhe pronat e lëna trashëgim nga të parët; i pari në krah të biznesmenëve të vegjël që u shkelen të drejtat me këmbë.

Kjo veprimtari e tij ka edhe një çmim, që Nikollaq Neranxi e paguan qoftë në formën e sulmeve të pabaza e të paprincipta në media, apo dhe në formën e penalizimeve qesharake që në kohën kur ishte deputet dhe “kishte dalë nga tufa e deleve të qeverisë” e deri më sot...

Nikollaq Neranxi e di më mirë se kushdo tjetër që këto lloj sulmesh vetëm se e forcojnë edhe më shumë. Pse ai ka me vete masën e madhe të njerëzve të thjeshtë, ata që janë dhe objekt i bamirësive të tij. Dhe jam i sigurt që bamirësitë e Nikollaq Neranxit janë të shumta; por ai nuk u bie daulleve.

Nuk është njeriu i daulleve dhe kjo është një tjetër nga cilësitë e munguara për shumë prej pasunarëve të Shqipërisë që (nuk) duam...

Ndaje me miqte