0030 210 33 18 483

Nis funksionimin numri i emergjencës “112”

TV TRIBUNA 02 Janar 2020

Që nga 1 janari 2020 është vënë në funksionim numri i emergjencës 112, që ofron mundësinë e asistencës së menjëhershme për njerëz që ndodhen në rrezik, apo për përballimin e situatave emergjente nga ana e shtetit.

Risia e këtij shërbimi është se qytetarët jo vetëm mund të bëjnë thirrje te ky numër, por edhe të marrin njoftime në rastet e rreziqeve shumë serioze, si p.sh., për evakuimin nga zona të rrezikuara në raste fatkeqësish natyrore apo udhëzime për mbrojtjen e tyre.

Numri 112 përbën një shërbim të kompletuar komunikimi në situata emergjente.

Qytetarët mund të marrin falas te ky numër në çdo rast që përballen me një situatë emergjente, kudo që të ndodhen në Greqi dhe vendet e Bashkimit Europian, por edhe në vende të tjera si në Zvicër apo Afrikën e Jugut.

Si kryhet informimi?

Gjithë ata që kanë Smartphone (telefona të zgjuar), do të marrin mesazhe të shkruara paralajmëruese që shfaqen në ekranin e telefonit dhe do të shoqërohen nga një tingull karakteristik i alarmit që do të jetë i ndryshëm nga çdo sinjal tjetër i telefonit.

Në varësi të llojit të emergjencës, numri 122 e lidh të interesuarin me Policinë, Zjarrfikësen, Qendrën e Ndihmës së Shpejtë (EKAV), Policinë bregdetare, linjën kombëtare SOS 1056 dhe linjën europiane për fëmijtë e zhdukur 116000.

Thirrjeve në numrin 112 iu përgjigjen menjëherë operatorë të kualifikuar në gjuhët greqisht, anglisht dhe frëngjisht.

Vihet në dukje se telefonata në numrin 112 është pa pagesë dhe mund të bëhet nga telefon fiks apo celular (madje edhe pa kartë sim).

Gjithashtu thirrja mund të bëhet edhe nga kabina telefonike publike, pa qenë nevoja për telekartë.

Është gjithashtu shumë e rëndësishme që thirrja në 112-n, ofron mundësinë e lokalizimit të vendit nga kryhet telefonata.

Centrali i 112-s ka kapacitetin që të trajtojë një numër të madh thirrjesh, me një perspnel prej 100 vetash.

Çdo turn do të ketë centralistë dhe oficerë ndërlidhës të policisë, zjarrfikëses, policisë bregdetare dhe qendrës së ndihmës së shpejtë, ndërsa një oficer me gradë të lartë do të jetë koordinatori i turnit.

Ndaje me miqte