0030 210 33 18 483

Një sqarim i nevojshëm: Çertifkatat shqiptare, pse nuk ”lexohen” në Greqi

TV TRIBUNA 10 Nentor 2021

Emigrantë shqiptarë që janë vaksinuar në Shqipëri dhe kanë çertifikatën përkatëse të vaksinimit, po ndeshen me vështirësi në Greqi, për shkak se sistemi COVID FREE GR nuk e “lexon” bar kodin e këtyre çertifikatave, me rezultat ato të jenë të papërdorshme.

TV Tribuna trajtoi rastin e bashkatdhetarit Çerçiz Bajo, i cili nuk pati mundësi të hynte në provimin e nënshtetësisë, për arsyen e sipërpërmendur.

Në fakt, çertifikatat shqiptare të vaksinimit janë njohur me vendim të Bashkimit Europian në 14 shtator 2021 dhe rrjedhimisht pranohen edhe nga Greqia.

Siç e thamë edhe në emision, problemi teknik ka rezultuar ditët e fundit dhe ishte kjo arsyeja që zëvendësministri grek i qeverisjes dixhitale deklaroi po të martën se po përgatitet një amendament që do të japë zgjidhjen e nevojshme.

“Lidhur me ata që janë vanksinuar jashtë Greqisë, kanë certifikatën, po nuk “ua lexon” sistemi, nëse jo sot, nesër, do të depozitohet një amendament nga ministria e shëndetësisë, për krijimin e dy regjistrave të rinj: njeri për të vaksinuarit jashtë shtetit dhe tjetri për ata që u infektuan jashtë Greqisë. Kjo do të ofrojë një zgjidhje, natyrisht, do të bëhet më parë një përpunim i certifikatave”, deklaroi zëvendësministri Georgios Georgantas në TV ANT1.

Për këtë problem ka reaguar edhe ministria e jashtme e Shqipërisë, ku në deklaratën përkatëse vë në dukje se “Të gjitha certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare njihen dhe janë të vlefshme në Greqi njësoj si më parë”.

“Raste sporadike të problemeve me leximin e këtyre certifikatave nga sistemet respektive të shtetit grek nuk janë të kufizuara tek dokumentet shqiptare, por janë vërejtur për shtetas të kombësive të ndryshme që jetojnë e punojnë në Greqi. Këto probleme lidhen vetëm me funksionimin e këtij sistemi të ndërtuar e menaxhuar nga strukturat në Greqi”, vazhdon deklarata e ministrisë së jashtme.

Në thelb, të dy palët themi të njëjtën gjë, por çështja është se problemi mbetet.

Edhe një akt normativ i mëhershëm i qeverisë greke, që përcakton se qytetarët nga vendet e treta mund të hyjnë në restorante apo dyqane thjesht duke treguar letrën e certifikatës, nuk e zgjidh problemin. Dhe kjo sepse emigrantët shqiptarë në Greqi nuk janë turistë, por kanë dhe halle të tjera, për të cilët nevojitet të hyjnë në zyra të shtetit apo në banka dhe amendamenti nuk ua siguron këtë gjë.

TV Tribuna trajtoi një problem që mendojmë se prek një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh, të cilët për arsye të ndryshme janë vaksinuar në Shqipëri. Pavarësisht se ministria e jashtme bën fjalë për “raste sporadike”...

Ndaje me miqte