0030 210 33 18 483

Një tërmet me magnitudë 4.7 godet Shqipërinë

Zëri i Amerikës 16 Janar 2023

Një tërmet me magnitudë 4.7 të shkallës Richter, goditi mbrëmjen e së dielës Shqipërinë, rreth orës 22.45 minuta. Sipas të dhënave zyrtare epiqendra ka qenë 25 kilometra në verilindje të Tiranës, në zonën e Klosit, në Burrel. Pak minuta më pas u rregjistrua dhe një pasgoditje me magnitudë 4.1.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bëri të ditur se janë raportuar dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos, në disa banesa ku ka patur plasaritje të mureve. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se “të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha Bashkitë e vendit”.
Lëkundjet janë ndjerë thuajse në të gjithë territorin e vendit. Në kryeqytet qytetarë të shumtë dolën nga banesat e tyre. Brenda pak minutash qendra e kryeqytetit u popullua nga automjete të shumta. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bëri të ditur se shërbimet e emergjencës janë në gatishmëri të plotë.
Në Shqipëri, mbeten ende të freskëta në kujtesën e qytetarëve, pasojat e tërmetit të fuqishëm të nëntorit të vitit 2019, me një magnitudë 6.4, i cili shkaktoi vdekjen e 51 personave ndërsa afro 3 mijë të tjerë mbetën të plagosur dhe mijëra shtëpi u shembën apo u dëmtuan rëndë.

Ndaje me miqte