0030 210 33 18 483

Njohja e patentave shqiptare në Greqi, marrëveshja në parlamentin grek

TV TRIBUNA 02 Janar 2020

Më në fund, patentat shqiptare do të njihen në Greqi.

Marrëveshja për njohjen e ndërsjelltë të patentave ishte nënshkruar në Athinë, që në maj të vitit 2018, por që të hynte në fuqi duhej miratimi i saj në të dy parlamentet.

Parlamenti shqiptar e miratoi shumë shpejt marrëveshjen, në korrik 2018, mirëpo parlamenti grek dukej se e kishte vënë “mbrapa liste”...

Por tashmë është çështje ditësh votimi i marrëveshjes dhe hyrja e menjëhershme në fuqi, duke i dhënë zgjidhje një herë e përgjithmonë një problemi që preokuponte qindra e qindra bashkatdhetarë, dhe që për arsye të ndryshme nuk ishin pajisur me patentë greke.

Projektligji për miratimin e marrëveshjes u dërgua në parlamentin grek më 30 dhjetor dhe miratimi i saj do të jetë një nga aktet e para të ligjvënësve për 2020-n, thanë burime të pyetura nga TV Tribuna.

Miratimi i marrëveshjes ishte premtuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë takimit me homologun shqiptar Edi Rama në Athinë, para dy muajsh.

Marrëveshja përcakton se “Palët Kontraktuese (domethënë autoritetet shqiptare dhe ato greke) njohin për drejtimin e mjeteve në territorin e tyre edhe lejet kombëtare të drejtimit të lëshuara nga Pala tjetër Kontraktuese brenda periudhës së tyre të vlefshmërisë”.

Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, shtetasit shqiptarë në Greqi do të mund të konvertojnë patentat e tyre kombëtare me patenta greke.

Leja e drejtimit (patenta) konvertohet pa qenë nevoja për kryerjen e testeve teorike dhe praktike.

I interesuari duhet të paraqesë një vërtetim mjekësor se personi është i aftë fizikisht që të drejtojë një mjet motorik.

Në raportin argumentues, të nënshkruar nga ministri i financave Hristos Staikouras dhe ai i infrastrukturës dhe transportit, Konstantinos Karamanlis, thuhet ndër të tjera se

“synimi i marrëveshjes është që të ndihmohen qytetarët e të dy vendeve që dëshirojnë të jetojnë në territorin e shtetit tjetër, të marrin leje drejtimi të vendit ku jetojnë, duke paraqitur vetëm një raport shëndetësor dhe duke ndjekur një procedurë të ngjashme me atë që zbatohet për konvertimin e lejeve të drejtimit që janë dhënë nga vendet anëtare të BE-së, në leje drejtimi greke, sipas udhëzimit 2006/126 të Bashkimit Europian”.

Ministrat i janë referuar edhe kostos që do të ketë për buxhetin e shtetit, zbatimi i kësaj mase.

Kështu, përllogariten humbje nga mos pagesa e tarifave për dhënien e provave, teksa nuk do të zhvillohen teste teorike dhe praktike.

Por edhe humbje nga të ardhurat tatimore që do të paguanin autoshkollat në rast se kandidatët do të zhvillonin mësimet përkatëse.

Gjithsesi, Staikouras dhe Karamanlis informojnë se humbja në buxhetin shtetit do të jetë 20 euro për çdo leje drejtimi dhe se do të kompensohet nga burime të tjera buxhetore.

Edhe pse shumica e shqiptarëve në Greqi janë pajisur me leje drejtimi greke, një numër i konsiderueshëm ka vazhduar të mbajë patentën ndërkombëtare shqiptare. Në mjaft raste këta janë penalizuar me gjoba të rënda, por edhe me nxjerrje para gjyqit.

Tashmë, kjo histori merr fund një herë e përgjithmonë.

Ndaje me miqte