0030 210 33 18 483

Nuk ka informacion për shqiptarë në aksidentin e trenit

ATSH 01 Mars 2023

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar për tragjedinë e ndodhur në Larisa të Greqisë ku pas përplasjes së trenit të mallrave me atë të pasagjerëve, humbën jetën 36 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhaçka shpreh ngushëllimet ndaj familjarëve të viktimave ndërsa uron shërim të shpejtë për të lënduarit.

“Të trishtuar nga aksidenti tragjik që ndodhi në Tempe në Greqi nga përplasja e dy trenave. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre në këtë aksident vdekjeprurës. Shërim sa më të shpejtë të plagosurve!”, shkruan Xhaçka.

Këshilltarja për medien në këtë Ministri bën me dije se, ministrja është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Athinë dhe Konsullatën e Përgjithshme në Selanik lidhur me aksidentin.

“Deri më tani nuk ka ende informacion për shtetas shqiptarë në radhët e viktimave apo të të plagosurve, ndërkohë që përfaqësues të Konsullatës në Selanik janë në vendngjarje”, informon këshilltarja.
 

Ndaje me miqte