0030 210 33 18 483

Për kë bien kambanat?

Juli NDRIKO

17 Prill 2021

Fokusi i çdo mesazhi qëndron në nevojën e shkëputjes përfundimtare nga fenomeni i shitblerjes së votës duke deklaruar se gjendja e demokracisë në Shqipëri nuk mund të jetë asnjëherë e shëndoshë, nëse mbështetet mbi vjedhjen dhe shitjen e votës.

Vetëm një javë i ndan shqiptarët nga zgjedhjet parlamentare të radhës dhe fushata zgjedhore është  përmbytur nga aktivitetet e partive politike pjesëmarrëse dhe nga mesazhe të shumta që kanë përfshirë të gjithë aktorët politikë dhe jo vetëm.

Ajo që vihet re është një fushatë kontraverse mes dy forcave të mëdha politike, PS-PD. PS në diversionin e saj ndaj Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj parazgjedhor, herë anatemon kandidatët e saj për deputetë, herë “tremb” shqiptarët me atë që do të ndodh nëse do të vijë në pushtet PD- ja duke e paraqitur fitoren e mundshme të Partisë Demokratike ndalje në vend të zhvillimit të Shqipërisë. Në krahun tjetër ftesat e Ramës për bashkëpunim me PD-në e Lulëzim Bashës me kushtin e vetëm që të ndahet nga Berisha dhe Meta janë forma tjetër e diversionit politik, teksa nuk thuhet asgjë se si do të jetë ky bashkëpunim dhe deri ku dhe si do të shtrihet.

Në krahun tjetër të medaljes, gjendet koalicioni opozitar ku Basha i moderuar dhe optimist, gjendet në krah të LSI-së agresive, agresivitet që mbështetet nga një gjuhë e ashpër e Presidentit të Republikës, njëherësh bashkëshorti i kryetares së LSI-së. Ky i fundit nuk tashmë asgjë që e identifikon me detyrën e Presidentit, por i ngjan më shumë një politikani që “po lufton”, deri si u deklarua me jetën e fëmijëve të tij, nëse vota e shqiptarëve preket.

Por axhendat e ngjeshura politike të subjekteve gjenden “të rrethuara” edhe nga një aktivitet i ngjeshur politik i ndërkombëtarëve, ku roli i SHBA-ve spikat padyshim.

Fokusi i çdo mesazhi qëndron në nevojën e shkëputjes përfundimtare nga fenomeni i shitblerjes së votës duke deklaruar se gjendja e demokracisë në Shqipëri nuk mund të jetë asnjëherë e shëndoshë, nëse mbështetet mbi vjedhjen dhe shitjen e votës.

Njëherësh mesazhet shkojnë për lista të pastra deputetësh, në mënyrë që parlamenti i ri të mos kriminalizohet sërish dhe cilësia e tij të jetë e ndryshme nga të deritanishmet.

Mesazhet kanë provokuar një furtunë debatesh dhe analizash në vend, interpretimi i të cilave ka sjellë një triumf kënaqësie sidomos në radhët e demokratëve, që deklaratën e Juri Kim në televizionin shqiptar se: “Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti”.

Deklarata u përcoll me heshtje nga kampi rozë, por u përkthye si mbështetje për PD-në nga debatuesit e mbrëmjeve në ekranet televizive.

Dhe kishte plot argumente që frymëzojnë një interpretim të tillë të mesazhit. Përsëritja këmbëngulëse për pastrim listash dhe referimi tek Tom Doshi, një individ i shpallur “non grata” në SHBA dhe njëherësh ish deputet i PS; artikulimi i vazhdueshëm i fjalës “ndryshim” që gjendet aq shumë në fjalorin politik të PD-së; deklaratat për njerëz me integritet dhe nevojën për t’u shkëputur përfundimisht nga e kaluara dhe për të marrë kthesën ku do të gjendet këtej e tutje Shqipëria’ përsëritja në mënyrë grafike dhe përshkruese e nevojës për të dënuar kriminelët që shesin e blejnë vota (këta të fundit të përmendur në dosjen 339 dhe të gjithë të akuzuarit eksponentë të PS-së), janë të gjitha argumente në favor të këtij interpretimi.

Në këtë anë interpretimi shkon edhe fakti se PS, ndryshe nga dy mandatet e para kërkoi ndryshimin në 2013 dhe marrjen e timonit e vetme në 2017. Ndërsa tani PS pa një program politik, kërkon votën e shqiptarëve për mandatin e tretë me dy argumente thelbësore: Opozita do të kthejnë Shqipërinë  mbrapa pasi nuk mund të pritet gjë prej saj dhe aleancave të saj me ata që kanë qenë përfituesit më të mëdhenj në kurriz të shqiptarëve; PS duhet të mbarojë projektet e nisura dhe të ndërprera nga tërmeti dhe pandemia.

Por, zhurma e interpretimeve pro ndryshimit me të cilën identifikohet opozita zvogëlohet  teksa deklarata e radhës është :“SHBA-të nuk mbështesin një parti apo një kandidat të caktuar politik, e vetmja gjë që mbështesim është e drejta e popullit shqiptar që të shprehë vullnetin e tij përmes votës”. 

Çfarë do të thotë kjo? Çfarë mesazhi kërkohet të jepet dhe çfarë ndodh që në mes këtyre mesazheve ndërhyn Edi Rama me shtrirjen e dorës drejt Lulëzim Bashës për bashkëpunim në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në një të nesërme të re pa Berishën dhe Metën?

Trajektoret përplasen si në një kriptogram të paqartë dhe të vështirë për tu zgjidhur. Por nëse proverbi i njohur “Në një rrugë të errët ndiq yllin”, është i vërtetë, vëmendja duhet të përqendrohet në mesazhet e dhëna dhe jo në përgjigjen e pyetjes se për kë bien kambanat.

Dhe kambanat ka kohë që bien për të gjithë ne dhe mjaft qartë. Intervista aq shumë e diskutuar e Ambasadores amerikane Juri Kim se SHBA-të e kanë bërë shumë shumë të qartë rëndësinë qendrore të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, dhe forcimit të demokracisë kudo në botë dhe kjo nuk bëhet bamirësi flasin qartë. “E bëjmë sepse është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që të kenë aleatë që janë të fortë, të aftë, dhe të begatë. Duam të sigurohemi që Shqipëria si aleate e NATO-s është maksimalisht e fortë, Nëse do rrëmojmë në historikun e vëmendjes amerikane në zgjedhjet e vendit tonë, do të vërejmë përherë interes, por 2021 sjell një fokus të ri dhe një nevojë të re, atë të gjetjes qartazi dhe përfundimisht të rrugës së Shqipërisë së nesërme”- deklaroi Juri Kim duke e lënë në dorë të votës së shqiptarëve të nesërmen e tyre.

Por ka një të opsion interesant mes gjithë këtyre mesazheve, ndoshta ndryshimi do të duhet të lerë mbrapa udhëheqësit e vjetër dhe kriminelët e votave dhe të nis nga një bashkëpunim përtej të majtës dhe të djathtës, nga një interes mbarëshqiptar dhe për Shqipërinë.

Në këtë optikë, mesazhet e Ambasadores dhe ftesat e Ramës kanë një pikë takimi: Për të përcaktuar të nesërmen duhet votë e lirë dhe bashkëpunim përtej ndasive politike që na ndajnë, por edhe teksa ecim drejt zgjedhjeve.

Është koha për të vendosur se çfarë vendi do të jetë Shqipëria.

Ndaje me miqte