0030 210 33 18 483

Për kandidatët e Greqisë në Këshillin Koordinues të Diasporës

Robert GORO 10 Shkurt 2019

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi ka kritikuar ashpër përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Koordinues të Diasporës.

Këshilli koordinues do të ketë 15 anëtarë të cilët do të përfaqësojnë shqiptarët kudo që ata ndodhen në botë.

Federata thekson se “kandidaturat erdhën sipas procedurës ligjore paraprakisht të propozuara nga ambasadat e akredituara jashtë vendit”.

Në fakt, ligji përkatës përcakton se “për gjetjen e kandidatëve ambasadat duhet të bashkëpunojnë me organizatat e disporës, të njohura e të regjistruara sipas legjislacionit të vendit pritës”. Duket se ambasada shqiptare në Athinë nuk e ka zbatuar këtë pikë, pra bashkëpunimin me organizatat e diasporës, ku FSHSHG është grupimi më i madh përfaqësues i komunitetit në Greqi.

Federata ka dhe një opinion tjetër për katër personat e zgjedhur si kandidatë: “këto kandidatura për ne, “njerëzit e shtëpisë”, që njohim kurrikulin real e jo atë virtual, lënë shumë për të dëshiruar, akoma dhe karrierat akademike të degëzuara këndshëm, por pa rrënjë!”.

Katër kandidatët e Greqisë, sipas rreshtimit në faqen zyrtare të ministrisë për diasporën, janë: Eda Gemi, Rodolf Xhillari, Artur Bibe dhe Aqif Bozhiqi.

I njoh personalisht që të katër dhe mendoj se e meritojnë të jenë kandidatë për të përfaqësuar shqiptarët e Greqisë. (E kam fjalën për ata të katër personalisht e jo për kriteret mbi bazën e të cilave u përzgjodhën). Megjithëse për tre prej tyre mendoj se përmbushet kriteri i parë që është: “a) Të jenë persona të spikatur në fushat e arsimit, shkencës, teknologjisë, kulturës, sportit etj., apo të suksesshëm në fushën e biznesit;”. Eda Gemi është një akademike dhe studiuese mjaft e njohur në Greqi, e angazhuar aktivisht për të drejtat e emigrantëve që në mesin e viteve 1990. Rodolf Xhillari është një biznesmen shumë i njohur e me integritet, që ka jetuar vite në Greqi, ku ka dhe një pjesë të bizneseve të veta. Artur Bibe, gazetari që raporton me profesionalizëm e guxim që prej gati 20 vjetësh dhe biznesmen mjaft i suksesshëm, me sensibilitet human të theksuar.

Pa anashkaluar faktin që tre prej katër emrave të propozuar janë në njerën apo tjetrën mënyrë pjesë e partisë së kryeministrit, unë them se do të ndihesha akoma më mirë, nëse këta të katër ndodheshin midis dhjetë apo njëzet kandidatëve të tjerë. (Federata nënvizon me plot të drejtë se ka dhe mijëra të tjerë, biznsmenë, mjekë, ekonomistë, artistë, shkrimtarë, plus arsimtarët që sakrifikojnë për t’u mësuar gjuhën amtare fëmijve – të cilët janë dhe ura më e fortë që e lidh komunitetin me vendin amë por dhe me vendin pritës).

Sepse mua më duket paradoks, për të mos thënë ndonjë fjalë më të rëndë, që, nga Greqia, ku jetojnë më shumë se gjysmë milioni shqiptarë, të ketë vetëm 4 kandidatë, aq sa edhe nga Turqia, në kohën që nga Italia ka plot 28 kandidatë...

 

 

Ndaje me miqte