0030 210 33 18 483

Për larje hesapesh vrasja e dyfishtë në Nea Smirni

Tribuna TV 19 Dhjetor 2022

Policia greke ia dedikon larjes së hesapeve vrasjen e dyfishtë të dy shtetasve shqiptarë që ndodhi në një bar të Nea Smirnit, mbrëmjen e të dielës.

Njëra prej viktimave, një burrë 41 vjeçar u qëllua në kokë dhe vdiq në vend, ndërsa viktima tjetër, me moshë 44 vjeç, e la frymën e fundit pak më vonë, në spitalin “Erithros Stavros”, i plagosur rëndë në gjoks.

Në spital po kurohet edhe një shtetase greke, 31 vjeçare që po rrinte në tavolinën ngjitur me viktimat dhe u plagos në zonën e barkut.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 21:30, kur një burrë i veshur me të zeza dhe maskë kirurgjikale në fytyrë, hyri në lokal dhe iu drejtua tavolinës ku ndodheshin dy viktimat.

Nxorri një pistoletë dhe nisi të qëllonte drejt tyre.

Menjëherë pas atentatit u zhduk.

Policia po shqyrton videot nga kamerat e sigurisë në zonën e ngjarjes, si dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët. Ndërkohë që po analizojnë “CV-në penale” të dy viktimave.

Policia mendon se ngjarja ndodhi për larje hesapesh. Sipas gazetës Kathimerini, që citon burime policore, viktima 41 vjeçare ishte implikuar në çështje që lidhen me drogën dhe me grabitjet.

Po ashtu i implikuar në çështje penale ishte dhe viktima tjetër, por policia mendon se objektivi i atentatit ishte 41 vjeçari që vdiq në vend.

Ndaje me miqte