0030 210 33 18 483

Përgjigjet Ambasada: Ç’po bëhet me njohjen e patentave shqiptare në Greqi

Tribuna TV 28 Shtator 2018

Kjo është një nga pyetjet më të shpeshta që na bëjnë shikuesit, qoftë direkt në telefon, qoftë në inbox-in e facebook-ut.

“Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, siç do të shprehej shkrimtari i shquar gjerman, Erih Maria Remark. Ose, për të aktualizuar, “ASGJË E RE NGA FRONTI I PATENTAVE”...

Nëse ju kujtohet, marrëveshja përkatëse u firmos në muajin maj në Athinë nga dy ministrat e jashtëm dhe media e Tiranës e paraqiti si një “lajm mjaft të mirë për emigrantët”.

Ndërkaq, qeveria shqiptare e miratoi më 31 korrik.

Atëherë Tribuna TV theksonte se “bëhet hapi i parë për njohjen e patentave shqiptare në Greqi”. Dhe shtonte: tashmë mbetet që të miratohet edhe nga qeveria greke si dhe parlamentet e të dy vendeve. Urojmë që e gjithë kjo procedurë të kryhet sa më shpejt”.

Nisur dhe nga shprehja që “i yti mishin ta ha por kockën ta ruan”, mendja na e donte që me nisjen e sezonit të ri parlamentar, deputetët në Tiranë ta miratonin marrëveshjen.

Por kjo nuk ka ndodhur ende...

Këto ditë iu drejtuam sërish Ambasadës tonë në Athinë, me dëshirën që çdo informacion ta kemi zyrtar.

Si gjithmonë Ambasada u tregua e gatshme dhe na u përgjigj:

“Ju njoftojmë se Marrëveshja për Njohjen e Ndërsjellë të Lejeve të Drejtimit nuk ka hyrë ende në fuqi.

Pritet që të hyjë në fuqi menjëherë pas ratifikimit të saj në parlamentin grek dhe atë shqiptar.

Ambasada do të nxjerrë njoftim zyrtar në momentin që kjo do të realizohet”.

Pra, as parlamenti shqiptar dhe as ai grek nuk e kanë miratuar marrëveshjen dhe më e keqja, nuk dihet se kur do ta vënë këtë çështje në rend të ditës. Dhe të mendosh që është fjala për një votim formal, që nuk kërkon as debat dhe kuorum të madh deputetësh...

 

Që para 15 vjetësh e më shumë...

Duke shfletuar në arkiv, gjetëm një kronikë nga Athina të gazetarit Robert Goro. Kronika përcjell takimin që një delegacion i ministrisë shqiptare të transporteve kishte zhvilluar me homologët grekë, më 25 mars 2003, pikërisht për çështjen e njohjes së patentave shqiptare. E vetmja përgjigje që kishte dhënë pala greke ishte se emigrantët duhet të pajisen me patentën e shtetit ku jetojnë.

“Pala greke u ka thënë se së shpejti do të paraqitet varianti i ripunuar i kodit rrugor grek, ku do të ketë edhe dispozita mbi shtetasit e huaj rezidentë në Greqi. Në këtë variant, thonë zyrtarët grekë, do të pasqyrohet edhe vendimi për pajisjen me patenta greke të emigrantëve shqiptarë, madje ministria vendase e transporteve ka përgatitur edhe formularët e pyetjeve në gjuhën shqipe, për t'i lehtësuar emigrantët”, përfundonte kronika.

Vazhdimin e dinë të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe kanë një makinë të tyren...

Ndaje me miqte