0030 210 33 18 483

Përleshje midis ekstremistëve të djathtë dhe refugjatëve në Mitilini

Tribuna TV 23 Prill 2018

Policia greke ka përdorur forcën për të larguar qindra refugjatë dhe emigrantë që protestonin prej ditësh në qendër të Mitilinit, në ishullin Lesbos.

Operacioni u zhvillua në orët e para të së hënës, pas incidenteve pa precedent që zgjatën gjithë natën, me përleshje midis protestuesve nga njëra anë, dhe ekstremistëve të djathtë dhe banorëve nga ana tjetër. Siç raporton agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA, grupe të rinjsh esktremistë tentuan gjithë natën të çanin kordonat e policëve që ishin vendosur ndërmjet tyre dhe refugjatëve.

Duke bërtitur “Digjini të gjallë”, ata hidhnin kundër protestuesve shishe me lëndë djegëse, gurë e sende të tjera të forta.

Refugjatët kishin krijuar një mbrojtje të trefishtë, duke vënë në qendër gratë dhe fëmijtë e tyre, ndërsa mbanin lart kuverta të lagura me qëllim që të neutralizonin efektin e lëndëve djegëse.

Gjatë incidenteve parti shumë të plagosur, kryesisht nga radhët e refugjatëve, të cilët u dërguan në spitalin e qytetit për t’iu dhënë ndihma e parë.

Në sheshin qendror të qytetit që mban emrin e poeteshës së antikiteti, Safo, dhe godinat përreth, u shkaktuan dëme të konsiderueshme.

Në orën 5,30 minuta të së hënës, refugjatët ishin ngarkuar forcërisht nëpër autobusa që i çuan në qendrat e pritjes, ku ata po qëndrojnë prej më shumë se dy vjetësh.

Refugjatët ishin tubuar në shesh që të mërkurën e kaluar, që të protestonin kundër vonesave të mëdha në përgjigjen e kërkesave për azil që kanë paraqitur qysh në momentin e parë të ardhjes së tyre në Greqi.

Ndaje me miqte