Përleshje vdekjeprurëse në kufirin Azerbajxhan-Armeni
TV TRIBUNA
15 Korrik 2020
Shtatë ushtarë të Azerbajxhanit, përfshirë një gjeneral, dhe katër ushtarë të Armenisë u vranë në përleshjet e fundit kufitare me artileri të rëndë.
Dy vendet fqinje, që kanë zhvilluar një luftë në vitet 1990 për kontrollin e rajonit të Nagorno Karabakut, e fajësuan njëra-tjetrën për nisjen e përleshjeve që zgjasin tash tre ditë.
Në total, 16 njerëz janë vrarë që nga nisja shkëmbimi i zjarrit në pjesën veriore të kufirit.
Dy vendet kanë qenë të bllokuara në konfliktin mbi rajonin e shkëputur të Azerbajxhanit, Nagorno Karabak, për vite me radhë.
Por, përplasjet e fundit janë larg Nagorno Karabakut dhe direkt midis dy vendeve - gjë që ndodh rrallë.
Presidenti i Azebajxhanit, Ilham Aliyev, tha se “udhëheqja politike dhe ushtarake e Armenisë do ta mbajë gjithë përgjegjësinë për provokimin”.
Kryeministri armen, Nikol Pashianin, e akuzoi Azerbajxhanin për "provokime" dhe tha se ato nuk do të kalojnë pa përgjigje.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për përmbajtje.
Përplasjet vijnë disa ditë pasi Aliyev la të hapur mundësinë e një lufte të re me Armeninë dhe ka dënuar bisedimet për paqe që ndodhen në ngërç.
Më 7 korrik, ai ka kërcënuar se do të tërhiqet nga negociatat “nëse ato nuk japin rezultate”.
Aliyev nuk ka dhënë më shumë detaje.
Nagorno Karabaku, i banuar me shumicë armene, ka shpallur pavarësinë nga Azerbajxhani në mes të luftës së viteve 1988-1994, e cila ka marrë mbi 30.000 jetë njerëzish.
Që nga viti 1994, ai është nën kontrollon e forcave etnike armene, që Azerbajxhani thotë se përfshijnë trupat e furnizuara nga Armenia.
Pretendimi i rajonit për pavarësi nuk është njohur nga asnjë vend.
Negociatat që përfshijnë Grupin e Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të bashkëkryesuar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Franca, kanë ndihmuar për të krijuar një armëpushim në rajon, i cili nuk respektohet gjithmonë, por kanë dështuar të prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit.
Ndaje me miqte