0030 210 33 18 483

Përmbledhje: Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë synojnë ekonominë dhe vetë Putinin

Tribuna TV 28 Shkurt 2022

Bashkimi Europian ka vendosur paketa sanksionesh ndaj Rusisë si përgjigje ndaj agresionit “pa precedent dhe pa shkak kundër Ukrainës”.

Disa prej sanksioneve ndëshkuese nuk ishin vendosur kurrë në të kaluarën, ndërsa disa të tjera konsideroheshin tabu deri në ditën e agresionit rus.

Sanksionet janë programuar “të godasin kapacitetin e Kremlinit që të financojë luftën, i shkaktojnë kosto të qarta politike dhe ekonomike elitës politike në Rusi që mbajnë përgjegjësinë për invazionin dhe dobësojnë bazën ekonomike të Rusisë”.

Vijon lista e sanksioneve që janë vendosur deri tani.

Banka Qendrore e Rusisë

Bashkimi Europian ka ngrirë atë që e quan “sënduku i luftës”, duke i ndaluar kryerjen e transaksioneve dhe pezulluar gjithë asetet që ka në territorin e BE-së.

SWIFT

Disa prej bankave ruse që përfaqësojnë 75% të tregut bankar të vendit do të përjashtohen nga SWIFT, sistemi ndërkombëtar i shkëmbimeve bankare, kjo do të sjellë si rezultat pamundësinë e shumicës së bankave ruse të kryejnë transaksione, duke mos mundur të bëjnë eksporte dhe importe.

Media shtetërore

BE godet “makinën informative të Kremilinit”, duke i ndaluar transmetimin në Europë rrjetit shtetërore Russia Roday, agjencisë Sputnik dhe filialeve të tyre. Në këtë mënyrë ato “nuk do të jenë më në gjendje të shpërndajnë gënjeshtrat për të justifikuar luftën e Putinit dhe për të mbjellë përçarjen në Europë”.

Hapësira ajrore

BE ka mbyllur hapësirën e vet ajrore për Rusinë, duke ndaluar ngritjen dhe aterrimin e gjithë avionëve rusë në hapësirën ajrore të Unionit. Masa përfshin të gjithë avionët, pavarësisht nëse janë me pronësi ruse, ose të kontraktuara nga Rusia, apo nën kontrollin e firmave dhe personave privatë rusë, përfshirë avionët e oligarkëve.

Armatimet

Për herë të parë në historinë e vet bashkimi Europian ta dakord të përdorë fonde që të blejë armatime dhe t’ia dorëzojë Ukrainës. 450 milionë euro do të disponohen për blerjen e armëve dhe 50 milionë të tjerë do të përdoren për karburante dhe materiale mjekësore.

Bjellorusia

BE ra dakord të vendosë sankasione të tjera edhe ndaj Bjellorusisë, që e konsideron si bashkëpunëtore në agresionin rus kundër Ukrainës. Bashkimi synon të bllokojë eksportet e Bjellorusisë të lëndëve djegëse, duhanit, drurit, betonit, hekurit dhe çelikut.

Lista e Zezë

BE ka përfshirë në një listë të zezë qindra individë, mes tyre pjesëtarë të Dumës (parlamentit) që votuan në favor të pavarësisë së rajoneve separatiste të Ukrainës Lindore.

Dy “personalitetet më të ndritura” në këtë listë janë Vladimir Putin dhe ministri i tij i jashtëm, Sergej Lavrov. Gjithsesi, këtyre nuk u ndalohet udhëtimi në territorin europian, me qëllim që të ketë një mundësi negocimi, nëse sigurisht vjen një shans i tillë...

Sektori energjetik

Sanksionet ndalojnë eksportimin e disa teknologjive të caktuara të rafinimit, duke e bërë më të vështirë dhe më të shtrenjtë për Rusinë modernizimin e rafinerive të naftës. Sipas Brukselit, ne vitin 2019 Rusia përfitoi 24 miliardë euro nga eksporti i derivateve të naftës së rafinuar në BE.

Sektori i transporteve

BE ka ndaluar eksportimin, shitjen, furnizimin apo transportin në Rusi të gjithë avionëve, pjesëve të këmbimit dhe pajisjeve përkatëse, si dhe gjithë shërbimet që lidhen me riparimin, mirëmbajtjen dhe financimin e avionëve. Sipas BE, 3 / 4 flotës ajrore tregtare të Rusisë janë prodhuar në BE, SHBA dhe Kanada.

Vizat diplomatike

Mbajtësit e pasaportave diplomatike ruse nuk do të kenë më privilegjin e lëvizjes së lirë në territorin e BE-së dhe qeveritarët e biznesmenët rusë nuk do të kenë taksa më të ulëta kur aplikojnë për vizë. Kjo masë nuk do të zbatohet për qytetarët e thjeshtë rusë, të cilët i ruajnë lehtësirat që kanë faktikisht.

Shkëmbime tregtare me zonat separatiste

Bashkimi Europian ka vendosur ndalimin e importeve nga zonat separatiste në Ukrainën Lindore. Si dhe ofrimin e shërbimeve turistike si dhe eksportimin e disa mallrave dhe teknologjive.

Ndaje me miqte