0030 210 33 18 483

Përmbysjet historike në Champions League

Tribuna TV 12 Prill 2018

Tashmë, pasi sfida Real-Juventus mbaroi si mbaroi, nuk na mbetet veçse të shohim se cilat kanë qenë përmbysjet më të mëdha në këto 26 vjet të ekzistencës së Ckampions League. (Kujtojmë se deri në vitin 1992 kompeticioni emërtohej si Kupa e Kampionëve).

Agjencia franceze e lajmeve (AFP) ka përgatitur materialin e mëposhtëm, që ripublikohet në shqip nga ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare).

PARIS, /ATSH-AFP/ – “Rënia e Romës”, kështu e përcaktoi sot media katalanase, duke hequr një paralele historike me rënien e Perandorisë Romake, humbjen e Barcelonës në Romë në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve (1-4, 3-0).

Por, kjo nuk është e vetmja përmbysje spektakolare në historinë e këtij kompeticioni europian.

“Më e fundit”: Roma-Barcelona (1-4, 3-0)

Francesco Totti, pas shorteut të çerekfinaleve, pranoi se “mund të kishte vajtur edhe më mirë… Do të përballemi me një prej ekipeve më të mëdha të Europës”.

Në fakt ndeshja e parë i dha të drejtë, duke përfnduar me rezultatin 4-1 në “Camp Nou”, por në Romë ndodhi krejt e kundërta.

Fitorja 3-0 është një nga përmbysjet më fantastike në histori.

“Më e pabesueshmja”: Barcelona-PSG (0-4, 6-1), viti 2017

“E padenjë”, shkruante e përditshmja “Equipe” pas këtij shpartallimi më 8 mars 2017. PSG-ja bëhej ekipi i parë në histori, deri më tani, që eleminohet nga Liga e Kampionëve pasi ka fituar me një diferencë prej katër golash në ndeshjen e vajtjes.

“Më e vjetra”: Barcelona-Chelsea (1-3, 5-1), viti 2000

Barcelona e Rivaldos dhe Luis Figos, 17 vite më parë, kishte arritur një përmbysje fantastike dhe shumë spektakolare. Ajo rrëzoi Chelsea-n në “Camp Nou”, 5-1 në kohët shtesë, pasi humbi 3-1 në ndeshjen e vajtjes në Angli.

”Më e papritura”: Monaco-Real Madrid (2-4, 3-1), viti 2004

Në njërën anë, Zinedine Zidane, Ronaldo, Raul dhe Roberto Carlos. Në anën tjetër Dado Prso, Ludovic Giuly dhe Jaroslav Plasil. Dhe gjithçka merr fund… Monaco kalon në gjysmëfinale.

Ekipi i principatës këtë sezon realizoj një prej arritjeve më të mëdha të futbollit francez duke eleminuar galaktikët e Real Madrid. Por, ajo që e bën këtë edhe më të jashtëzakonshme, është fakti që madrilenët fituan ndeshjen e parë me rezultatin 4-2.

”Përmbysja e Ronaldos”: Real Madrid-Wolfsburg (0-2, 3-0), viti 2016

Një prej klisheve të futbollit është që lojtarët e mëdhenj duhet të shkëlqejnë në çastet më kritike. Cristiano Ronaldo e ka një rast të tillë. Në mes të një sezoni të vështirë, të trazuar nga rekrutimi i dështuar i trajnerit Rafael Benitez, ekipi madrilen humbet 2-0 në Gjermani, në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. I emëruar vetëm një muaj më parë në krye të ekipit, Zinedine Zidane është në rrezik.

Por, CR7-a, i kritikuar për një rendiment shumë të dobët, realizon një tripletë të bujshme në ndeshjen e kthimit. Reali vazhdoi rrugën deri në finale duke e fituar atë, madje edhe sezonin tjetër.

“Më e shpejta”: Liverpool-AC Milan (3-3, 3-2 me 11-metërsha), viti 2005

A mund të quhet kjo vërtetë një “Remontada”? Sepse ajo që deri më tani është finalja më spektakolare e Ligës së Kampionëve është luajtur në një ndeshje të vetme. Por dy gjysmë kohët të kësaj ndeshje legjendare janë kaq të ndryshme sa që një paralele është shumë e vështirë.

Liverpool, në fakt hyn në dhomat e zhveshjes me një disavantazh prej tre golash. Paolo Maldini shënon në minutën e parë, Hernan Crespo dy të tjerë para pushimit. Por kapiteni i “Reds”, Steven Gerrard arrin të reduktojë rezultatin, Vladimir Smicer dhe Xabi Alonso çojnë ndeshjen në kohë shtesë dhe Liverpool përfundon duke fituar me penallti para syve të lagur nga lotët të tifozerisë së tyre që ishin krejtësisht të habitur.

Ndaje me miqte