0030 210 33 18 483

Përse dhe për kë duhet të votohet më 26 maj

Robert Goro 25 Maj 2019

Më 26 maj në Greqi mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Të njëjtën ditë votohet edhe për bashkitë, komunat dhe periferitë e Greqisë.

Për komunitetin shqiptar kjo do të jetë një datë e veçantë, pasi në listat zgjedhore të partive greke ka mjaft bashkatdhetarë, të cilët pretendojnë fitore.

Besimi i tyre mbështetet në faktin se në këto zgjedhje do të votojë një numër mjaft i madh qytetarësh shqiptarë, që tashmë kanë marrë nënshtetësinë greke.

Por konsiderohet se edhe votues grekë do të votojnë për kandidatët shqiptarë, në shenjë të njohjes së kontributit të tyre në shoqëritë lokale ku jetojnë e veprojnë.

 

Duhet pjesëmarrje masive

Zgjedhjet e 26 majit kanë dy veçanësi:

E para, vihet në zbatim klauzola që përcakton se të drejtën për të votuar e kanë gjithë ata që kanë mbushur moshën 17 vjeç (ligji i mëparshëm e kishte fiksuar në 18 vjeç moshën, ashtu siç është në shumicën e vendeve).

E dyta, siç thamë dhe në hyrje, në këto zgjedhje pritet të votojnë për herë të parë një numër i konsiderueshëm emigrantësh që morën nënshtetësinë në harkun kohor 2016-2018. Pjesa më e madhe e kësaj kategorie, kuptohet, janë shqiptarë.

Kështu shpjegohet nga njëra anë edhe numri i madh i kandidatëve shqiptarë që janë përfshirë në listat e partive dhe koalicioneve, si për zgjedhjet europiane, ashtu edhe për ato administrativet dhe pushtetin lokal.

Por nga ana tjetër, ky fakt dëshmon se tashmë ka një vëmendje më të madhe ndaj komunitetit shqiptar, që përveçse faktor social dhe ekonomik, tashmë – me të drejtën e votës- po shndërrohet edhe në faktor politik.

Është në dorën tonë që këtë faktorizim ta mbajmë dhe ta forcojmë.

Së pasi, duke votuar në zgjedhjet e të dielës për kandidatët shqiptarë – pse ata janë përfaqësuesit tanë, motrat, vëllezërit, shokët e miqtë tanë.

Sa më shumë prej tyre të fitojnë në zgjedhje, aq më i qëndrueshëm e i respektueshëm bëhet faktorizimi që thamë pak më sipër.

 

Pionierët e faktorizimit

Gjatë kësaj periudhë të fushatës zgjedhore, masa e madhe e shqiptarëve në Greqi e ka pritur përgjithësisht pozitivisht, kandidimin e shqiptarëve. Por ka pasur edhe komente të hidhëta, shprehje të një mentaliteti meskin e provincial.

Mendoj se më së pari duhet që të gjithë ne t’i përgëzojmë të gjithë kandidatët, sepse ata morën përsipër barrën e madhe të hedhjes së hapit të parë, i cili do të pasohet sigurisht në të ardhmen. Mos të harrojmë që pas pak muajsh do të zhvillohen zgjedhjet kombëtare, ku patjetër në listat elektorale do të ketë dhe kandidatë nga komuniteti ynë. Tashmë KINAL e ka shpallur kandidaturën e Fatos Malajt në A’ Athinon...

Po të shikosh kandidaturat që TV Tribuna i ka prezantuar mjaftueshëm, konstaton se shumë prej tyre janë njerëz të njohur jo vetëm për kontributet në komunitet, por edhe më gjerë, në shkencë dhe në kulturë, në biznes e në jetën shoqërore.

Eda Gemi, Luan Zyka, Ermela Jana, Elona Gjergo-Tanka, Armida Plangarica, Lefter Kuqo, Adilian Koxhaj, Kristo Konduri, Gramoz Qafa, janë disa prej tyre, që ua njoh kapacitetet dhe kontributet, e me siguri që nuk mbeten pas edhe të tjerët.

 

Për fund: Kushdo nga patriotët që ka të drejtë vote duhet të shkojë në kutinë e votimit dhe mundësisht ta hedhë votën për bashkatdhetarët tanë.

Sepse, mos harroni: nuk mjafton vetëm ta arrish faktorizimin, duhet edhe ta mbash e ta forcosh vazhdimisht.

Ndaje me miqte