0030 210 33 18 483

Përse duhet votuar Fatos Malaj

Robert Goro 04 Korrik 2019

Për komunitetin shqiptar në Greqi, zgjedhjet e 7 korrikut përbëjnë një moment historik. Pas legalizimit në 1998, 7 korriku është ndoshta momenti më kulmor në historinë tonë në Greqi.

Dhe ja sepse:

Në këto zgjedhje ka shumë mundësi të zgjidhet deputet në parlamentin grek i pari shqiptar që vjen nga radhët e emigrantëve.

Ky është Fatos Malaj.

Për mua, që e ndjek prej disa vitesh nga pozicioni i gazetarit, Fatos Malaj ka dhënë një kontribut të pallogaritshëm në përmirësimin e procedurave ligjore dhe praktike të politikës së emigracionit në Greqi.

Përmirësime, që, është sigurt se nuk do të ishin bërë po të mos ishte ekspertiza dhe këmbëngulja e Fatos Malajt.

Gjatë gjithë këtyre viteve Fatos Malaj është afirmuar si eksperti ndoshta më i mirë për çështjet e emigracionit dhe kjo është arsyeja që fjala e Fatos Malajt dëgjohet gjithmonë me vëmendje nga autoritetet greke.

Prandaj dhe konsiderohet si një zhvillim normal propozimi i partisë Lëvizja për Ndryshim (PASOK), që Fatos Malaj të kandidojë për deputet në një nga dy zonat më të rëndësishme elektorale, në “Alfa Athinon”.

 

Tani vijmë te thelbi:

Fatos Malaj shpreson shumë tek votat e atyre bashkatdhetarëve nga brezi i parë dhe i dytë që morën nënshtetësinë greke vitet e fundit dhe votojnë për herë të parë në zgjedhje të përgjithshme më 7 korrik.

Personalisht, kam një mori arsyesh që të votoj për Fatos Malajn. Ndërsa secilit shqiptar që voton në Alfa Athinon, i lutem të mendojë vetëm këtë:

Duke u futur Fatos Malaj në parlamentin grek është sikur aty futet secili prej nesh. Sepse, në rastin konkret, Fatos Malaj nuk do të përfaqësojë vetveten, por tërësinë e komunitetit shqiptar në Greqi, gjithë emigrantët e huaj që jetojnë e punojnë këtu, pavarësisht kombësisë, ngjyrës apo besimit fetar.

Sepse, zgjedhja e një emigranti në parlamentin grek do të dëshmojë, veç të tjerash dhe para së gjithash, forcën reale të këtij komuniteti kaq të madh e me influencë të rëndësishme në jetën greke, ekonomike dhe sociale. E, pas 7 korrikut-dhashtë zoti-, edhe në jetën politike.

Pas kësaj, çdo emigrant do të konsiderohet akoma më i rëndësishëm dhe fjala e mendimi anë “do të dëgjohet, do të respektohet dhe do të merret parasysh”, siç argumenton edhe vetë Fatos Malaj.

 

Sapo u shpall kandidatura e tij, Fatos Malaj u sulmua personalisht dhe mjaft ashpër nga segmente mediatike greke që i përkasin spektrit të së djathtës ekstreme dhe atyre me vokacion populist.

Këto ditët e fundit, me afrimin e zgjedhjeve, Fatos Malaj po ftohet nga televizione të rëndësishme, nga radio e portale me peshë, që po e trajtojnë Fatos Malajn ashtu si dhe kandidatët e tjerë grekë; madje me një vëmendje e vlerësim më të shtuar, që buron pikërisht në faktin se kandidatura e Fatos Malajt është diçka e veçantë që ia vlen të reklamohet, jo thjesht për bujë mediatike.

Për më tepër, vëmendja pozitive e mediave greke forcon parashikimin se kjo “aventurë” e Fatos Malajt ka shumë gjasa të kurorëzohet me sukses. Që këto gjasa të bëhen me të vërtetë realitet, nevojitet domosdo edhe mbështetja jonë.

Mbështetje e cila duhet shprehur fuqishëm me votë, në zgjedhjet e 7 korrikut.

E kam thënë vazhdimisht që bindjet politike të gjithësecilit duhen respektuar absolutisht dhe votimi sipas bindjes politike është një nga vlerat më të shenjta të demokracisë.

Mirëpo, në rastin e Fatos Malajt kemi një precedent, i cili inkuadrohet në sferën e patriotizmit.

Dhe është e qartë që patriotizmi është një vlerë sipërore, që ngrihet mbi gjithçka, edhe – natyrisht- mbi bindjet apo preferencat politike.

Të flasim si pragmatistë:

Vota e secilit votues, ndaras, mund të mos jetë vendimtare në zgjidhjen e ekuacionit se cila do të jetë partia që do të qeverisë Greqinë pas 7 korrikut.

Mirëpo, vota e çdo shqiptari në Alfa Athinon, është më se vendimtare që parlamenti i ardhshëm grek të ketë në përbërjen e tij edhe një deputet shqiptar.

Në këtë kuptim, beteja elektorale e Fatos Malajt është beteja e çdo shqiptari që jeton në Greqi, me apo pa të drejtë vote.

Është një betejë, kurorëzimi me sukses i së cilës do të na nxjerrë të gjithëve faqebardhë e do të na bëjë krenarë në breza.

Ndaje me miqte