0030 210 33 18 483

Panathinaikos rrezikon të bjerë në kategorinë e dytë...

Tribuna TV 27 Mars 2018

Panathinaikos, një nga dy ekipet më të mëdha dhe më historikë të Greqisë, rrezikon për herë të parë të bjerë nga kategoria. “Rënia” e jeshilëve nuk do të ndodhë për shkak të rezultateve në Superligë, po për shkak të vështirësive të mëdha financiare me të cilat po përballet sidomos këtë sezonin e fundit.
Të hënën pasdite bordi i Superligës -autoritetit organizator të kampionatit të kategorisë superiore në Greqi-, hodhi poshtë propozimin e AEK-ut që ekipet të mos ndëshkohen me rënie nga kategoria për shkak të problemeve financiare.
Tashmë shpresat e pakta të Panathinaikosit mbeten te Federata (EPO), por edhe sikur qeveria e futbollit të vendosë ndryshe, Superliga do të insistojë në vendimin e vet.
Kështu që “topi” detyrimisht ka kaluar në fushën e aksionerit kryesor të PAO-s, biznesmenit Janis Alafuzos, që deri më tani nuik është treguar i gatshëm të fusë dorën thellë në xhep.
Panathinaikosi ka në dispozicion më pak se pesë 24 orësha, që të mbyllë gjithë “vrimat” e të paraqesë një dosje të plotësuar dhe konformë rregullave, me qëllim që të licensohet për të vazhduan në sezonin e ardhshëm të Superligës.
Në të kundërt, edhe sikur EPO të japë një shtyrje afati, (deri në fund të prillit), “tërfili” ka shumë mundësi të përjetojë momentin më të errët në historinë e vet të lavdishme: rënien nga kategoria dhe kalimin në divizionin e dytë, Football League.
Detyrimet financiare të Panathinaikosit ndaj palëve të treta arrijnë në rreth 11 milionë euro, mirëpo me një shumë që shkon tek 4 milionët, PAO “e hedh lumin” dhe shpëton nga rreziku i rënies nga kategoria.
Pyetja që shtrohet është nëse Janis Alafuzos do të hedhë para, apo do të vazhdojë të qëndrojë i zhdukur nga skena?

Ndaje me miqte