Pandora Papers, si politikanët dhe miliarderët fshehin paratë e tyre
TV TRIBUNA
04 Tetor 2021
Një rrjedhje e të dhënave e quajtur ”Pandora Papers” zbuloi se miliarderë të fuqishëm dhe udhëheqës aktualë dhe të mëparshëm botërorë, kanë qenë të lidhur me kompani që përdorin parajsa tatimore për fshehjen e të ardhurave.
Hetimi u krye nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve (ICIJ) dhe një ekip prej 150 gazetash, përfshirë ”Sueddeutsche Zeitung” të Gjermanisë, ”Washington Post”, ”Guardian”, ”Indian Express” dhe ”Le Monde”.
Të paktën 11,9 milionë dokumente zbuluan se 35 krerë shtetesh aktualë dhe paraardhës të tyre, si dhe më shumë se 330 politikanë dhe zyrtarë publikë nga gati 100 vende kanë pasuri në llogari bankare, fondacione në kompanitë offshore.
Llogaritë offshore shpesh përdoren për të menaxhuar fshehurazi shuma të mëdha parash duke evituar deklarimin e tyre.
Dokumentet sekrete ekspozojnë marrëveshjet offshore të mbretit të Jordanisë, presidentëve të Ukrainës, Kenias dhe Ekuadorit, kryeministrit të Republikës Çeke dhe ish-kryeministrit të Britanisë Tony Blair. Dosja zbulon gjithashtu detaje nga aktivitetet financiare “ministrit jozyrtar për propagandën” të presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe ato të më shumë se 130 miliarderëve nga Rusia, India, Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe kombe të tjera.
Dokumentat e ekzaminuara tregojnë shtrirjen, në të cilën operacionet sekrete offshore kanë prekur politikat financiare globale. Ministrat e financave të Pakistanit, Holandës dhe Brazilit kanë të gjithë lidhje me kompanitë offshore, ashtu si edhe ministrat e mëparshëm të financave të Maltës dhe Francës duke përfshirë edhe ish-shefin e FMN-së, Dominique Strauss-Kahn.
Njerëz të lidhur nga dokumentet sekrete me asete offshore përfshijnë yllin e kriketit të Indisë Sachin Tendular, divën e muzikës pop Shakira, supermodelen Claudia Schiffer dhe gangsterin italian të njohur si Leli, i Shëndoshi.
Sipas ICIJ Pandora Papers tregojnë, se njerëzit e fuqishëm me pushtet, që mund të ndihmojnë t'i jepet fund sistemit të offshoreve, në fakt janë përfitues prej këtyre sistemeve. Ata fshehin asete në kompani dhe truste të fshehta ndërkohë që qeveritë e tyre përkatëse bëjnë pak për të ndaluar qarkullimin global të parave ilegale duke pasuruar kriminelët dhe varfëruar vendet.