0030 210 33 18 483

PAOK, kampion pas 34 vjetësh

TV TRIBUNA 22 Prill 2019

Një festë e pambarimtë ka filluar të dielën në mbrëmje në Selanik, për të kremtuar kurorëzimin kampion i Greqisë në futboll të PAOK-ut, për herë të parë pas 34 vjetësh (1985) që kur bardhezinjtë kishin fituar titullin e fundit.

Festa filloi në stadiumin “Tumba” menjëherë pas përfundimit të ndeshjes me Levadiakosin (5-0).

Në një atmosferë fantazmagorike prej fishekzjarrëve të shumtë, kampionëve iu dorëzua kupa. Njeri pas tjetrit, lojtarët dhe stafi teknik hipnin në tribunën e krijuar enkas, ndërsa në katër ekrane gjigandë projektoheshin pamje nga ecuria e sivjetme e ekipit.

Presidenti i PAOK-ut, Ivan Savidis, u përball me një apoteozë të vërtetë nga mijëra tifozët e ekipit.

“Është e vështirë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Dua të falënderoj gjithë ata që ishin brenda dhe jashtë fushës dhe t’u përulem gjithë atyre që dashurojnë fanellën bardhë e zi. Kemi ende shumë punë, duhet të bëjmë durim dhe gjithçka është para nesh”, deklaroi Savidis.

Marshimi i autobusit të kampionëve nga stadiumi në sheshin historik “Lefkos Pirgos”, Selanikut përfundoi në orët e para të mëngjesit.

Gjatë gjithë kohës nata ishte bërë ditë nga flakadanët dhe fishekzjarrët që nuk pushuan për asnjë çast, ndërsa muzika nga boksat gjigandë e mbajti zgjuar gjithë qytetin...

Ndaje me miqte