Papadimoulis rizgjidhet nënpresident i PE, votohet edhe nga Demokracia e Re
TV TRIBUNA
17 Korrik 2019
Eurodeputeti grek Dimitris Papadimoulis është rizgjedhur për një mandat të ri në postin e nënpresidentit të parlamentit Europian.
Papadimoulis u zgjodh në turin e dytë, pasi në turin e parë mori 303 vota, ndërsa i nevojiteshin 331.
Në turin e dytë mori gjithsej 401 vota.
Ajo që e bën interesante zgjedhjen e tij është fakti se në favor të kandidaturës së Papadimoulis-it votuan edhe eurodeputetët e Demokracisë së Re, që i përkasin partisë Popullore Europiane.
Kreu i kësaj partie, Manfred Weber, nuk e kishte përfshirë zotin Papadimoulis në listën që iu dha eurodeputetëve të djathtë për të dhënë votën e tyre. Dhe kjo për faktin se Papadimoulis ishte kandidaturë e propozuar nga e majta Europiane, që konsiderohet një “fuqi ekstremiste” nga Brukseli, ndërsa nuk përjashtohen edhe motive personale, pasi Papadimoulis ishte ndër kundërshtarët kryesorë të kandidimit të Weber për postin e presidentit të Komisionit Europian, kandidaturë që përfundimisht u tërhoq.
Por shefi i grupit të eurodeputetëve të djathtë, Vangelis Meimarakis, i bindi eurodeputetët e djathtë grekë që të votojnë Papadimoulisiin, pavarësisht “vijës” që kishte dhënë partia Popullore Europiane.
Me këtë akt, Meimarakis ka dëshmuar tendencën e një kulture të re politike që duket se do të ketë vazhdim. (Ish kryeministri Tsipras deklaroi se SYRIZA do të votojë kandidatin e propozuar nga Demokracia e Re për postin e kryetarit të parlamentit).
Në favor të Dimitris Papadimoulis votoi edhe eurodeputeti i KINAL-it, Nikos Androulakis, ndërsa nuk ia dhanë votën partia Komuniste, Agimi i Artë dhe “Zgjidhja Greke”.
Ndaje me miqte