0030 210 33 18 483

Papandreu: "Hap i rëndësishëm dalja e Greqisë nga programi i shpëtimit"?

Tribuna TV 20 Gusht 2018

Dalja e sotme e Greqisë nga programet e shpëtimit që u vendosën para tetë vjetësh që të evitohet kolapsi ekonomik dhe të rehabilitohet zhvillimi i ekonomisë së falimentuar, është një hap i rëndësishëm përpara, ka theksuar ish kryeministri i Greqisë Jorgos Papandreu, në një deklaratë për agjencinë Xinhua.

“Është i mirëpritur fakti që pas tetë vjetësh programesh axhustimi tani do të kemi akses në tregjet financiare me interesa të arsyeshme. Megjithatë, nuk ka arsye për të festuar.

Greqia ka tashmë një buxhet të balancuar, ndërkaq ka humbur 25% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, shtrëngesa në më të shumtën e herës ka goditur shtresat e dobëta të shoqërisë dhe papunësia është e lartë, shumë të rinj emigrojnë për të gjetur punë në vende të tjera.

Tashmë është koha për iniciative të reja, investime dhe politika sociale që do ta lejojnë  Greqinë të shtojë mundësitë e veta, të forcojë zhvillimin ekonomik dhe të reduktojë pabarazitë sociale.

Është gjithashtu përgjegjësi e grekëve që të shmangin gabimet në të ardhmen, si ato që e nxorrën nga binarët buxhetin dhe e çuan borxhin në stratosferë në vitin 2009, gabime që goditën kredibilitetin e Greqisë në arenën ndërkombëtare. Bindja ime është që në këtë pikë kritike nevojitet të zhvillojmë një konsensus të gjerë në vendin tonë që do ta shpjerë vendin drejt më shumë ndryshimeve institucionale dhe ekonomike.

Këto reforma do të ndihmojnë të tërheqjen e investimeve të reja, përshpejtimin e konvergimit ekonomik me vende të tjera të BE-së dhe do të krijojnë stimuj që shumë grekë të kthehen në atdhe.

Pas kaq vitesh sakrifica, populli grek kërkon dhe jam i sigurt se Greqia e ka aftësinë që t’ia arrijë, një kalim në një zhvillim më të qëndrueshëm dhe jetik, duke mbajtur nën kontroll deficitet dhe borxhin, duke ofruar paralelisht vende të reja pune dhe shpresë për popullin grek”, nënvizoi ish kryeministri dhe aktualisht kreu i Lëvizjes së Socialistëve Demokratë (KIDISO), Jorgos Papandreu.

Ndaje me miqte