Parlamenti grek voton për mbështetjen e mëtejshme Shqipërisë në procesin e integrimit europian
Tribuna TV
17 Maj 2018
Parlamenti grek ka miratuar këto ditë Memorandumin e bashkëpunimit midis MPJ të Greqisë dhe Shqipërisë “Mbi përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.
Projektligji përkatës u miratua në seancë plenare, me votat e deputetëve të koalicionit qeveritar SYRIZA-ANEL, por edhe të PASOK-ut dhe të partisë To Potami. Kundër votoi Demokracia e re, Agimi i Artë dhe partia komuniste, ndërsa Unioni i Qendrës abstenoi.
Në fakt, memorandumi është nënshkruar nga dy ministrat e jashtëm, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, që në korrik 2015, gjatë vizitës së ministrit të jashtëm grek në Tiranë. Ideja i përket palës greke që ka nënshkruar memorandume të ngjashme edhe me vende të tjera që ndodhen në procesin e integrimit në BE, si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.
Memorandumi parashikon forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve me synim ofrimin e asistencës përmes shkëmbimit të ekspertëve, si dhe të njohurive e teknikës, për konkretizimin e politikave të bashkimit Europian – të cilat Greqia i disponon si një nga anëtarët më të vjetër të BE-së.
Bashkëpunimi do të fokusohet në çështjet politike, ekonomike, teknologjike dhe kulturore të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si dhe të bashkëpunimit rajonal.
Kryefjala e memorandumit, sipas Athinës, është promovimi i mëtejshëm i mbështetjes politike nga Greqia, në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë seancës plenare pati pozicionime të ashpra nga oponenti i Agimit të Artë, Ilias Kasidiaris, si dhe një debat ndërmjet oponentit të Demokracisë së re Simos Kedikoglu dhe ministrit alternat të punëve të jashtme, Jorgos Katrugalos.
Ndaje me miqte