Parlamenti shqiptar në tragjikomedinë e radhës
Tribuna TV
12 Prill 2018
Të enjten në “mexhlisin” (Kuvendin) e Shqipërisë janë zhvilluar skena dëshpëruese që vërtetojnë edhe një herë maksimën se “çdo popull ka qeverinë dhe opozitën që meriton”.
Në fakt shqiptarët nuk i meritojnë pamjet që u shfaqën të enjten, por duket se publiku në Shqipëri është mësuar me “spektakle” të tilla dhe madje i mirëpret si spektator...
Por le t’i marrim gjërat me radhë.
Deputetë të PD-së dhe të LSI-së, fillimisht kanë bllokuar foltoren, duke kërkuar që seanca të mos niste, nëse nuk përjashtohej më parë kryeministri Edi Rama. Ishte kryetari i opozitës Lulzim Basha ai që dha sinjalin, pasi paralajmëroi se nuk mund të ketë një seancë normale pa u përjashtuar më parë kryeministri Edi Rama, “njeriu që përdori fjalorin më të ndyrë ndaj popullit të vet, e që fyu shqiptarët”, në seancën e kaluar. Opozita kishte bërë kërkesë zyrtare për përjashtimin e kryeministrit, por ajo u hodh poshtë nga Byroja e parlamentit.
Deputetët e opozitës pavarësisht ndërprerjeve të shpeshta të seancës nuk lëvizën nga foltorja, duke hedhur thirrje kundër kryeministrit dhe duke kërkuar lirimin e 11 qytetarëve nga Kukësi, të mbajtur në arrest me burg për shkak të ngjarjeve të dhunshme të 10 ditëve më parë në Rrugën e Kombit, gjatë protestës kundër tarifës së parashikuar për kalimin në aksin rrugor që çon drejt Kosovës.
Disa deputetë të opozitës hodhën miell në drejtim të kryeministrit Rama, e më pas qëlluan dhe me shishe ujë. Ndërsa ai ka ruajtur qetësinë, ka reaguar duke hedhur ujë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.
Kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi njoftoi përjashtimin e të paktën tre deputetëve të opozitës. Ata janë Flamur Noka, Ervin Salianji dhe Klevis Balliu.
Seanca u mbyll ndërsa çështjet në rendin e ditës u kaluan me shpejtësi dhe pa diskutime.
Ndaje me miqte