Partia Demokratike feston e ndarë themelimin
VOA
11 Dhjetor 2022
Përfaqësues dhe përkrahës të Partisë Demokratike festuan të ndarë sot përvjetorin e 32-të të themelimit të saj, duke dëshmuar edhe herë mospajtimet e thella mes dy grupimeve brenda partisë së parë dhe më të madhe opozitare në Shqipëri.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, së bashku me një grup deputetësh, festuan paradite në një mjedis, ndërsa ish kryeministri Sali Berisha me përkrahësit e tij u mblodhën në mbrëmje në një sallë tjetër.
Zoti Alibeaj tha në fjalën e tij se misioni i sotëm i njerëzve të Partisë Demokratike është mbrojtja e identitetit properëndimor të Partisë Demokratike dhe e ëndrrës së shqiptarëve për të hequr nga shpina njerëzit, që luftonin Perëndimin në Shqipëri.
“Çdokush që tradhton identitetin dhe kontributin properëndimor të Partisë Demokratike, nuk është më pjesë e historisë së kësaj partie, por pjesë e tradhtisë ndaj saj. Çdo përpjekje për të vendosur interesa personale mbi PD-në, duke e kthyer atë nga një institucion i Perëndimit në Shqipëri, në një repart të sulmeve ndaj Perëndimit, është një përpjekje për të fshirë identitetin e saj politik, dhe për të zëvendësuar atë me imazhin dhe misionin e Partisë së Punës në vitin 1990”, theksoi zoti Alibeaj.
Ai tha se misioni i madh i Partisë Demokratike ishte dhe mbetet përfundimi i pushtetit absolut të numrit 1 të partisë, një simptomë e vjetër, e cila, sipas tij, prej një vit e gjysmë është ringjallur dhe ka ngritur krye në radhët e saj.
Zoti Alibeaj theksoi se PD nevojitet të demokratizojë shoqërinë, duke u imponuar standardet e Perëndimit kundërshtarëve politikë, të cilët po ringjallin si pushtet absolut hijet e së djeshmes diktatoriale, kur shkeleshin liritë politike.
“Pinjollë të diktaturës, mbartës të paskrupullt të trashëgimisë më të zezë diktatoriale. Edhe liritë si rrëzimi i murit të izolimit po keqpërdoret me synimin diabolik të shpopullimit e zbrarzjes së vendit në ritme më të frikshme se sa eksodi postdiktaturë. Vendi po kalon momente të vështira. Bjerrja e besimit te demokracia, thërrmimi i shtetit të së drejtës, përhapja e psikozës së dhunës, humbja e shpresës, shpopullimi si në dimensionet e 1990 janë arsye të forta për ta rigjetur veten”, tha zoti Alibeaj në tubimin e 32 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike.
Pak orë më vonë ish-kryeministri Sali Berisha festoi me përkrahësit e tij, ku akuzoi ish kryetarin Lulzim Basha se, pas takimeve dhe marrëveshjeve të fshehta, e shndërroi Partinë Demokratike në dekor dhe fasadë të një qeverie, që kalonte nga skandali në skandal, nga korrupsioni në korrupsion.
Ai tha se me procesin e rithemelimit Partia Demokratike rikonfirmoi parimet, me të cilat u themelua 32 vjet më parë.
“Sot ne jemi më të fuqishëm shumë herë se nga sa ishim në vitin 1990. Misioni themelor i PD sot është së parë, siç riktheu votën e lirë për anëtarët e saj të rikthejë votën e lirë për qytetarët shqiptarë. Revolucioni ynë kurrë nuk do të ndalet. Motoja e tij do të jetë: Jetën e japim, votën nuk e falim!”, tha zoti Berisha.
Ai theksoi se shumica socialiste dhe drejtuesi i saj Edi Rama kanë kthyer shtetin në një makineri elektorale, që me sistemin e patronazhistëve kanë vrarë votën e lirë, kanë blerë vota me eurot e narkotikëve.
“Ky regjim qëndron mbi krimin, drogën, vjedhjen, i tmerruar nga krimet që kryen dhe vjedhjet që bën. Ne nuk do kursejmë asgjë, për t’u rikthyer shqiptarëve votën! Shqiptarët duan të votojnë të lirë!”, tha zoti Berisha.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi në maj të vitit të kaluar ndalimin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara, për ish kryeministrin Sali Berisha e familjen e tij, për shkak të “akteve të rënda të korrupsionit” dhe “minimit të demokracisë”.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vendosi t’i ndalojë hyrjet e zotit Berisha në SHBA, si një ish-zyrtar i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë, me “veprime korruptive, si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë”.
Përcaktimi i SHBA-ve për zotin Berisha për korrupsion ndikoi në zhvillimet brenda Partisë Demokratike, e cila është ndarë në qëndrime pro dhe kundër tij, ndërsa pret një vendim nga Gjykata e Apelit, lidhur me autoritetin përfaqësues të kësaj force politike, bazuar në akte dhe dokumente, që i pretendojnë të dy palët.
Ndaje me miqte