0030 210 33 18 483

Pasaportat që skadojnë, çfarë do të bëhet ?

TV Tribuna 20 Prill 2020

Qindra e qindra emigrantë shqiptarë nga e gjithë Greqia po na pyesin se si do të bëhet me pasaportat e tyre që kanë skaduar apo skadojnë në ditët e ardhshme.
Prej më shumë se një muaji, ambasada në Athinë dhe konsullatat në Selanik e Janinë, janë mbyllur si pasojë e masave kundër koronavirusit që po zbatohen në Greqi.
Nisur nga fakti që këto masa nuk dihet se kur do të hiqen, mbetet po ashtu në pikëpyetje edhe data se kur do të rifillojnë veprimet konsullore për qytetarët shqiptarë në Greqi.
Ndërkaq, kjo situatë ka krijuar probleme për shumë bashkatdhetarë. Ata e kanë vështirë të kryejnë veprime në shërbimet publike të shtetit grek, pasi u refuzohet shërbimi me arsyetimin se pasaporta u ka mbaruar. Të paktën kështu na kanë vënë në dijeni mjaft bashkatdhetarë dhe ne nuk kemi arsye që mos t'i besojmë.
Normalisht, duhej që shërbimet greke të tregonin më shumë sensibilitet, pasi të gjithë në Greqi e mbarë botën po përjetojmë një situatë emergjente që shumëkënd e gjeti të papërgatitur.
Nga ana tjetër, siç e kemi vënë në dukje edhe më herët, kjo situatë emergjente ka edhe efektet e veta anësore, të cilat pak apo shumë kanë prekur mjaft vetë, edhe grekë, edhe shqiptarë e të huaj të tjerë që jetojnë në Greqi.
Tani, sa i përket takimeve që ishin caktuar dhe nuk u realizuan për shkak se u mbyllën shërbimet konsullore, sa ambasada, aq edhe konsullatat, janë mjaft të qarta në njoftimet e tyre:
Takimet do të caktohen për data të reja, menjëherë sapo të rifillojë puna.
Qytetarët janë të lutur të kontrollojnë faqet tona në Facebook dhe Web për njoftime të mëtejshme lidhur me rifillimin e punës së Zyrës Konsullore dhe zëvendësimin e takimeve të humbura për pasaportë dhe kartë identiteti të kësaj periudhe me data të reja, në varësi të zhvillimit të situatës.
Por edhe nëse këto takime do të vonohen, të interesuarit duket se nuk do të kenë arsye të shqetësohen edhe më tepër.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në përgjigje të një pyetjeje që shtroi Televizioni Tribuna, kanë njoftuar se po punohet që afati i këtyre pasaportave të shtyhet.
Lidhur me afatin e skadimi të pasaportave, Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë është në procesin e përgatitjes së një akti normativ për shtyrjen e afatit të tyre, për të cilin do të ketë njoftim publik sapo të miratohet.
Kuptohet, që krahas miratimit të vendimit, autoritetet shqiptare do të bëjnë dhe veprimet e nevojshme pranë palës greke, me qëllim që gjithë kjo kategori emigrantësh të mos ketë probleme.
 

Ndaje me miqte