Pashkë të përgjakura në Sri Lanka, 290 të vrarë nga shpërthimet në kisha dhe hotele
TV TRIBUNA
22 Prill 2019
Autoritetet në Sri Lanka thanë të hënën se deri tani numërohen të paktën 290 të vrarë nga tetë shpërthimet e të dielës pranë kryeqytetit të vendit, Kolombo dhe se janë arrestuar disa të dyshuar. Sipas autoriteteve, 27 të vdekur ishin shtetas të huaj.
Po ashtu qindra vetë janë plagosur nga shpërthimet në tre kisha dhe tre hotele, pjesa më e madhe e tyre po mjekohen në spitale. Shpërthimet ndodhën ndërkohë që besimtarët katolikë po kremtoni Pashkët, në kishat Kochchikade, Negombo dhe Batticaloa gjatë ceremonive të pashkëve dhe në hotelet ”Shangri La”, ”Cinnamon Grand” dhe ”Kingsbury.
Policia zhvilloi operacione kërkimi në lagjen Dematagoda, në periferi të kryeqytetit, Kolombo, ku u regjistruan shpërthimet. Pas mbërritjes së policisë në lagje, u kryen dy shpërthime të tjera. Mendohet se dy pjesëtarë të grupit që kreu sulmet hodhën veten në erë për të mos u arrestuar. Sipas shefit të policisë, tre police mbetën të vrarë gjatë operacionit.
Ministri i Mbrojtjes Ruwan Wijewardena i cilësoi sulmet një incident terrorist dhe fajësoi ekstremistët fetarë për këto akte. Kryeministri Ranil Wickremesinghe shprehu shqetësimin se akte të tilla mund të sjellin destabilitet dhe të dëmtojnë ekonominë.
Nga e gjithë bota janë përcjellë mesazhe solidariteti, dhe dhimbjeje për viktimat si dhe deklarata që dënojnë këto akte. Në meshën tradicionale të Pashkëve, Papa Françesku shtoi një mesazh ku shprehte dashurinë e tij për komunitetin e krishterë në Sri Lanka që ishte sulmuar gjatë lutjeve në kishë me rastin e kësaj dite të shenjtë.
Kisha e Shën Antonit dhe tre hotele që u vunë në shenjestër në sulmet e së dielës frekuentohen nga turistë të huaj.
Burime spitalore tregojnë për trupat e të vrarëve që mbërrijnë në spital si dhe për qindra të plagosur që kërkojnë ndihmë. Pamjet e stacioneve lokale televizive tregojnë dëmet masive në hotelet Cinnamon Grand, Shangri-La dhe Kingsbury.
Restoranti që ndodhej në katin e dytë të hotelit Shangri-La ishte shkatërruar plotësisht, nuk kishte më as tavan, as dritare; tavolinat e përmbysura mbulonin dyshemenë e nxirë nga shpërthimi.
Ndaje me miqte