0030 210 33 18 483

Pasojat për Greqinë nga tarifat e reja që vendosi Trump

TV TRIBUNA 05 Prill 2025

Goditja ndaj eksporteve greke nga vendosja e tarifave nga qeveria amerikane pritet të jetë e dyfishtë, veçanërisht në një kohë kur SHBA po bëhej gjithnjë e më e rëndësishme si destinacion eksporti i produkteve greke.

Vlera e eksporteve greke drejt SHBA-së në periudhën 2020-2024 regjistroi një normë mesatare vjetore rritjeje prej 20.4%, ndërkohë që pesha e eksporteve drejt SHBA-së në totalin e eksporteve greke u rrit nga 3.75% në vitin 2020 në 4.89% në 2024. Bilanci tregtar midis Greqisë dhe SHBA-së është me një suficit prej 268.19 milionë euro, por shumë më i ulët se në vitin 2023, kur ishte 617.71 milionë.

Njëra goditje është e drejtpërdrejtë, pasi produktet greke tani do të jenë më të shtrenjta për amerikanët dhe për këtë arsye më pak konkurruese.

Ullinjtë, çimentoja, alumini, djathi feta, vaji i ullirit dhe kompostot e pjeshkës janë produktet që vlerësohet të jenë më të prekura nga vendosja e tarifave. Ndërkaq, bizneset greke kanë një shpresë se disa prej tyre të përjashtohen nga politika e re tarifore amerikane, siç ndodhi gjatë mandatit të parë të Trump me vajin e ullirit dhe ullinjtë e tavolinës greke.

SHBA është gjithashtu tregu i pestë më i rëndësishëm për eksportet greke të djathit feta.

Goditja tjetër është indirekte dhe ka të bëjë me një reduktim të mundshëm të eksporteve drejt partnerëve tregtarë të Greqisë brenda BE-së. 65% e eksporteve greke realizohen në vendet anëtare të BE-së. Tarifat do të prekin kryesisht Gjermaninë, Italinë dhe Francën, partnerët kryesorë tregtarë të Greqisë. Barra mbi ekonominë në këto vende nënkupton një ulje të fuqisë blerëse të konsumatorëve dhe për rrjedhojë reduktimin e eksporteve greke drejt tyre.

Një studim i fundit i Bankës Kombëtare të Greqisë vlerësoi se një rritje horizontale e tarifave me 10% për të gjitha produktet e eksportuara nga BE në SHBA do të reduktonte totalin e eksporteve greke me rreth 1.7%, me çmime konstante dhe GDP-në greke me 0.4% në mënyrë kumulative deri në fund të 2026-ës.

Ndaje me miqte