0030 210 33 18 483

Patriarku Bartolomeu: Kryepeshkopi Anastas, kryeprift i kalibrit të madh shpirtëror

ATSH 30 Janar 2025

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë është zhvilluar sot ceremonia mortore për kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatës, të cilut iu dha lamtumira e fundit.

Në ceremoninë mortore mori pjesë edhe Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e tij, Bartolomeu. Gjatë fjalës së tij Bartolomeu vlerësoi figurën dhe punën e kryepeshkopit Anastas për ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri.

“Një detyrë e dhimbshme na ka mbledhur sot në kryeqytetin e Shqipërisë, shtylla e madhe e kishës Ortodokse në Shqipëri ka rënë, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastasi ka ndërruar jetë me Zotin. Edhe pse mosha e tij e madhe dhe përkeqësimi i shëndetit na kishin përgatitur për fundin e tij të afërt në këtë jetë tokësore, humbje e një Ati shpirtëror dhe Udhëheqësi të tillë kishtar shkakton një dhimbje të thellë njerëzor”, tha Bartolomeu.

Bartolomeu u shpreh më tej se kryepeshkopi Anastas ishte shërbëtori i mrekullisë, i ngjalljes nga të vdekurit të Kishës Ortodokse në Shqipëri pas natës së errët dhe të zymtë të ateizmit të organizuar dhe pas persekutimit të madh që regjimi ateist i bëri të krishterëve.

“Kur ai regjim ra dhe u krijua mundësia për rindërtimin e kishës këtu kisha e Shenjtë mëmë Patriarkana e Kostandinopojës nisi kërkimin për një burrë të pajisur me cilësi të veçanta, i cili do të mund të merrte përsipër shpëtimin e anijes së tronditur nga stuhitë. Ky burrë duhet të mishëronte virtytin, zgjuarsinë, vendosmërinë, shpirtin luftarak, punën e palodhur, zgjuarsinë diplomatike, njohjen ndërkombëtare, besimin e palëkundur në misionin e shenjtë, përkushtimin ndaj traditave të shenjta dhe dashurinë për popullin e vuajtur të Zotit”, tha Bartolomeu.

Sipas tij “të gjitha këtë cilësi i gjetëm tek mitropoliti i atëhershëm titullar i Andrusës, një njeri i dalluar që kishte ndritur në misionin e tij në Afrikë dhe që kishte fituar një emër të respektuar në botën akademike, me përkushtimin dhe urtësinë e tij ai është bërë një figurë e spikatur dhe e respektuar në kishë në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Anastasi i ndjerë lindi në Pire dhe që në rininë e tij u përkushtua me zemër në misionarizmin e brendshëm duke u mësuar mijëra të rinjve devocionin ndaj Perëndisë. Jeta e tij ishte një mrekulli e zotit, nëna e tij një grua me besim të patundur, refuzoi me vendosmëri këshillën e mjekëve për të kryer abort, pasi vuante nga turbekulozi dhe ata e konsideronin vdekjen të pashmangshme si për të ashtu dhe për fëmijën që mbante në bark. Dhe fatmirësisht që ndodhi kështu sepse fëmija që ajo solli në jetë u bë një burrë i shquar i cili sot pas 95 vitesh jetë të ndritur prehet këtu përpara nesh pasi përmbushi një mision të lavdishëm kishtar dhe njerëzor”, tha Bartolomeu.

Më tej, ai u shpreh se Anastasi kishte një dashuri të veçantë për dijen dhe u dallua si një studiues i shkëlqyer i shkencave religjioze duke i prezantuar botës ortodokse islamin, judaizmin, budizmin dhe besimet afrikane.

“Përmes kësaj pune ai kontribuoi fuqishëm në ndërtimin e një mirëkuptimi më të thellë me besimet e tjera që sot jetojnë pranë nesh dhe në kultivimin e marrëdhënieve të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit.

Dashuria e tij e madhe ishte padyshim misionarizmi i jashtëm të cilit i kushtoi vitet më të bukura të rinisë së tij. Ai vendosi themele të forta, formoi kuadro të shquara në të gjitha nivelet e priftërisë dhe ngriti lartë emrin dhe imazhin e Patriarkanës së lartë të Aleksandrisë”, u shpreh Bartolomeu.

“Si drejtor i Shërbimit apostolik i Kishës së Greqisë ai ndërmori botimin e testeve patriarkike duke kontribuar në largimin nga ndikimet e huaja që mbizotëruan deri në vitet ‘60 dhe orientimin drejt frymës Autentike Ortodokse”, tha më tej Bartolomeu.

“Prania e tij në lëvizjen ekumenike dhe Këshillin Botëror të Kishave kishte gjithmonë një shije të fortë Ortodokse dhe Patriarke. Ai ishte gjithashtu shpirti i Organizatës Botërore të Lëvizjeve Ortodokse Rinore ku rreshtohej ndër themeluesit e saj duke ofruar në frymë të gjallë dhe mision për brezat e rinj”, nënvizoi më tej Bartolomeu.

Sipas tij “kisha e Shqipërisë që nga shpallja e saj autoqefale ka përjetuar një histori të trazuar kryesisht për arsye politike, po tragjedia më e madhe e saj ndodhi kur regjimi ateist vendosi shfuqizimin e fesë duke persekutuar klerikët, duke i përjashtuar ata nga funksionet e tyre duke ndaluar çdo akt liturgjik he duke e kthyer kishën në një kishë të përndjekur”.

“Në vitin 1991, Patriarkana Ekumenike duke përmbushur detyrimin e saj për tu kujdesur për të gjitha Kishat në vështirësi, e thirri kryepeshkopin ndjerë Anastas dhe e dërgoi në Shqipëri për të vendosur themele të reja dhe për të sjellë mesazhin ringjalljes tek populli i vuajtur ortodoks i këtij vendi”, tha ai.

Më tej, Bartolomeu nënvizoi se pas një viti e gjysmë, ai kishte dëshmuar punë të shkëlqyera në ringjalljen e Kishës më 24 qershor 92 ai u zgjodh dhe u vendos Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë.

“Shërbesa e tij baritore nuk ishte pa furtuna, ai udhëhoqi kishën për rrugë të ngushta dhe nëpërmes sfidave të mëdha duke ecur shpesh herë në tehun e shpatës, megjithatë ai zotëronte hirin për të zgjeshur bashkëpunëtorët e duhur për të hapur shtigje aty ku duhej dhe ku duket se çdo rrugë aty ishte e mbyllur dhe për të gjetur burimet e nevojshme për të ringjallur kishën nga hiri”, tha Bartolomeu.

“Kishat, manastiret, shkollat seminaret teologjik dhe klerikal, spitalet dhe institucionet e tjera në shërbim të komunitetit janë vetëm disa nga arritjet e shumta të tij. Nga natyra ishte e ëmbël dhe i burë i durueshëm aty ku duhet por i patundur dhe i palëkundur aty ku interesi i kishës e kërkonte. Si diplomat me aftësi të rrallë ai dinte të lëmonte gjembat të shmangte konfliktet të shëronte plagët të formonte shpirtra dhe të ndërtonte kishën në përputhje më vullnetin hyjnor”, u shpreh më tej ai.

Bartolomeu theksoi se “do të kujtojmë përherë çdo gjë të bukur, çdo gjë të ndritur, çdo gjë të pëlqyeshme nga Perëndia, çdo gjë që kryepeshkopi ndjerë ndërtoi për kishën, i japim lavdi Zotit që i dhuroi Kishës së sotme një kryeprift të kalibrit të madh shpirtëror si Anastas Janullatus”.

Bartolomeu e përmbylli fjalën e tij duke nëvizuar se “Anastasi, si personalitet dhe si Kryepeshkop është padyshim i pazëvendësueshëm! Humbja e tij përbën një tronditje të thellë për Kishën lokale. Megjithatë, jemi të bindur se uratat e tij, së bashku me ndërmjetësimet e të gjithë shenjtorëve të Ilirisë, do të ndihmojë në zgjedhjen e pasardhësit më të denjë dhe të përshtatshëm për fronin e tij. Kisha mëmë, Patriarkana e Kostandinopojës, do ta përqafojë me dashuri Kryepeshkopin kushdo qoftë ai, dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë tij, e gatshme për ta mbështetur në çdo nevojë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë”.

Ndaje me miqte