Presidenti i republikës greke Prokopis Pavlopoulos, ka theksuar se sjellja ndaj minoritetit dhe pretendimi i të drejtave për çamët, përbëjnë pengaesa të pakalueshme për një kurs normal të Shqipërisë drejt Europës.
Në prag të festës kombëtare, presidenti i Republikës greke, Prokopis Pavlopoulos ka artikuluar mesazhe ndaj gjithë vendeve fqinje me të cilat Greqia ka probleme, përfshirë natyrisht edhe Shqipërinë.
“Sa i përket Shqipërisë fqinje, nuk jemi kundër perspektivës së saj europiane”, deklaron presidenti grek.
Mirëpo Pavlopoulos shton se kjo ka si kusht të njëmendtë respektimin e shtetit të së drejtës dhe gjithë të drejtave themelore të njeriut.
“Rrjedhimisht, sjellje si ato ndaj minoritetit etnik grek, që cenojnë brutalisht vlerën e jetës njerëzore apo shkelin të drejta themelore si p.sh., e drejta mbi pronën, përbëjnë një pengesë të pakalueshme për një kurs normal të Shqipërisë drejt Europës.
Ashtu sikurse përbën pengesë pretendimi pa asnjë bazë i gjoja të drejtave të shqiptarëve çamë, bashkëpunëtorë të paskrupullt të nazistëve, siç është dëshmuar historikisht”, nënvizon presidenti grek në mesazhin drejtuar kombit me rastin e festës kombëtare të 25 marsit.