PD: Mbyllen 150 shkolla, ministrja Nikolla të mos heshtë
ATSH
17 Shtator 2018
TIRANË,17 shtator /ATSH- I. Vata/ – Partia Demokratike ka reaguar sot për mbylljen e dhjetëra shkollave në të gjithë vendin, ndërsa i kërkon ministrisë së Arsimit Lindita Nikolla të thyejë heshtjen dhe të japë shpjegime.
Partia Demokratike ka shpërndarë sot të gjithë deputetët në qarqet e vendit për të sjellë shqetësimin për mbylljen e shkollave.
Kryetarja e Komisionit te Arsimit Albana Vokshi ka dhënë deklaratë për mediat përpara Ministrisë së Arsimit. “133 shkolla të mbyllura, mijëra nxënës nuk kanë nisur vitin e ri mësimor, mijëra të tjerë detyrohen të shpërngulen në shkolla të tjera kilometra larg shkollave ekzistuese”, tha Vokshi
Më tej, Vokshi theksoi se ministria e Arsimit, duhet të japë shpjegime sa është numri i shkollave të mbyllura dhe sa nxënës do vuajnë pasojat, pasi janë 150 shkolla të mbyllura në të gjithë vendin.
Deputetja e PD-së, Orjola Pampuri ka sjellë problemin e mbylljes së shkollave në Rrogozhinë dhe braktisja nga mijëra nxënës është tregues i dhimbshëm.
“Mbyllja e shkollave në Kamëz dhe braktisja nga mijëra nxënës është tregues i dhimbshëm për arsimin”, është shprehur deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.
Më tej, Tabaku shprehet se “sot nuk është një ditë e gëzueshme në Zall-Herr, pasi qeveria ka mbyllur shkollat dhe sot fëmijët e shkollës fillore të marrin rrugën prej 10 kilometra për të ardhur këtu”.
Mbyllja e shkollave në Korçë dhe braktisja nga mijëra nxënës është tregues i dhimbshëm se arsimi është çdo vit e më keq”, është shprehur deputetja e PD-së, Valentina Duka.
Deputetja Duka shton nga Korça se “në këtë ditë të shënuar të arsimit shqiptar të gjithë ndjehemi të lënduar thellë nga veprimi obskurantist i qeverisë Rama për mbylljen e një sërë shkollash në të gjithë vendin”.
“Për fat të keq një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Korçë, vendlindja e arsimit shqip. Në një sërë fshatrash të qarkut si Drenovë (vendlindja e Asdrenit), Barç, Voskop e Kolanec, qeveria u ka vënë dryrin shkollave të atjeshme”, tha Duka
Deputeti i PD-së Luan Baçi ka sjellë shqetësimin në qarkun e Fierit, ku shprehet se: “Mbyllja e shkollave në Fier dhe braktisja nga mijëra nxënës është tregues i dhimbshëm se arsimi është çdo vit e më keq”.
Ndaje me miqte