PD: Ministri Fatmir Xhafaj duhet të ishte nën hetim
ATSH
26 Shtator 2018
“Fatmir Xhafaj duhet të ishte nën hetim, sepse me pohimin se ka prova dhe fakte për audiopërgjimin e të vëllait trafikant droge dhe me mosdërgimin e tyre në Prokurori, Fatmir Xhafaj, ka kryer veprën penale të pengimit të drejtësisë”, – deklaroi sot deputeti i PD-së, Flamur Noka.
Në një deklaratë për mediet, Noka shton se “Fatmir Xhafaj deklaroi se përgjimi i të vëllait trafikant droge është i sajuar dhe se ai ka prova për këtë”.
Deputeti i PD-së Noka shprehet se: “Le të ndjekim pohimin kriminal të Fatmir Xhafës bërë mbrëmë në një studio televizive. Është tjetër gjë të provosh është apo s’është (i vërtetë përgjimi) dhe tjetër gjë të provosh kush dhe përse e ka bërë këtë gjë. Dhe unë kam provat e mia. Kam faktet e mia, padyshim. Është e qartë se deklarata të tilla janë pjesë e skenarit mafioz për t’i imponuar prokurorisë një rezultat hetimor të paracaktuar. Me veprime të tilla kriminale, Fatmir Xhafaj ka kryer veprën penale të pengimit të drejtësisë dhe manipulimit të së vërtetës. Nëse ka prova, Ministri i Brendshëm duhet t’i kishte çuar në Prokurori”, – tha Noka.
“Fatmir Xhafaj duhet të ishte nën hetim edhe për faktin se: Si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj falsifikoi Kodin e Procedurës Penale për të pamundësuar ekstradimin në Itali të të vëllait. Si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, bllokoi për 8 muaj ligjin e lojërave të fatit për interesat financiare të bandës së vellait te tij Agron Xhafaj. Si Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj vuri në dispozicion Policinë për të mbështetur aktivitetin kriminal të të vëllait në trafikun e drogës. Si Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj pengoi zbatimin e Ligjit Antimafia për sekuestrimin e pasurive të familjes së tij”, – shprehet Noka.
Po ashtu Noka tha se “propozimi i Partisë Demokratike për vetting-un e politikanëve është zgjidhja më e mirë për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin”.
Ndaje me miqte