Portugali, aksident i rëndë automobilistik me turistë gjermanë
ATSH
18 Prill 2019
MADEIRA, 18 prill /ATSH-DPA-ANSA/ – Të paktën 29 persona, shumica prej tyre gjermanë, humbën jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik, kur një autobus me turistë u rrëzua në ishullin portugez të Madeiras, raportojnë mediat lokale.
Në këtë autobus ndodheshin 57 persona.
Autobusi u rrëzua poshtë një argjinature në qytetin bregdetar të Kanikos, në lindje të Funkalit, kur shoferi humbi kontrollin në një kthesë.
Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë, ndërsa mediet vendase raportuan për një gabim mekanik të sistemit të frenimit ose të pedalit të gazit.
Merkel: E trishtuar për tragjedinë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu ngushëllimet e saj për viktimat e aksidentit në ishullin portugez të Madeiras, ku 29 persona humbën jetën, shumica prej të cilëve se ishin nga Gjermania.
“Me trishtim dhe tronditje shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta për bashkatdhetarët tanë si dhe të gjithë ata që u prekën nga aksidenti i tmerrshëm i autobusit në Madeira”, theksoi Merkel në një deklaratë.
Ajo gjithashtu falënderoi shërbimet e shpëtimit dhe mjekët në Madeira për përpjekjet e tyre.
Ndaje me miqte