Presidenti Meta dekreton kryeministrin Rama për një mandat të tretë
Zëri i Amerikës
11 Shtator 2021
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi sot kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për postin e kryeministrit, pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.
Dekreti formal me dy nene zyrtarizon nisjen e mandatit të tretë në qeverisje të shumicës socialiste, megjithë mospajtimet me presidentin Meta.
Parlamenti i kaluar votoi për shkarkimin e Presidentit Meta nga posti i tij për shkelje të Kushtetutës, ndërsa përfaqësuesit socialistë e kritikojnë atë për njëanshmëri partiake gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit.
Ndërsa parlamenti i ri u mblodh dje në seancën e parë, ku u konfirmua shumica e Partisë Socialiste, ndërsa Partia Demokratike u rikthye përsëri në sallë në vendet e opozitës, të cilat i braktisi dy vjet më parë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vendosur të përjashtojë nga grupi parlamentar ish-kryetarin e Partisë, Sali Berisha.
Ky vendim ka sjellë reagime të ndryshme në radhët e opozitës, për të cilat zoti Basha diskutoi me drejtuesit e Partisë Demokratike në rrethe. Vendimi i tij u përshëndet nga ambasada amerikane në Shqipëri.
Afro 4 muaj më parë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vendosi t’i ndalojë hyrjet e zotit Berisha në SHBA, si një ish-zyrtar i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë, me “veprime korruptive, si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë.”
Ndaje me miqte