Presidenti Trump i heq çertifikatën e sigurisë ish drejtorit të CIA-s
Tribuna TV
16 Gusht 2018
Presidenti Donald Trump i ka hequr çertifikatën e sigurisë së lartë ish drejtorit të CIA-s të administratës Obama, John Brennan, një zë i hapur kritik ndaj Presidentit. Këtë njoftim e bëri zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.
“Zoti Brennan kohët e fundit e ka shfrytëzuar statusin e tij të ish zyrtarit të lartë, që ka akses ndaj informacioneve tepër delikate, për të ngritur akuza të pabaza dhe shfrime të zemëruara në internet dhe televizion lidhur me adminstratën aktuale”, - tha zonja Sanders.
Zoti Brennan ka qenë shumë kritik ndaj sjelljeve të zotit Trump, duke e cilësuar konferencën e përbashkët për shtyp që ai dha krahas me Presidentin rus Vladimir Putin në Finlandë, si “asgjë më pak, se sa tradhëti”.
Zëdhënësja Sanders tha se janë duke u rishikuar edhe certifikatat e sigurisë të zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të tjerë.
Në mesin e tyre janë: ish Drejtori i FBI-së James Comey; James Clapper, ish drejtori i zbulimit kombëtar; ish drejtori i CIA-s Michael Hayden; ish këshilltarja për sigurinë kombëtare Susan Rice; si dhe Andrew McCabe, i cili shërbeu në postin e zëvendës drejtorit të FBI-së, deri kur u shkarkua në muajin mars, njofton radio Zëri i Amerikës.
Ndaje me miqte