Presidenti turk sulmon kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj
Zëri i Amerikës
01 Prill 2018
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan sulmoi të shtunën kryeministrin e Kosovës për shkak se ky i fundit kundërshtoi operacionin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, që Ankaraja i akuzon për mbështetje të komplotit për grusht shteti.
Presidenti Erdogan në një tubim të Partisë Zhvillim dhe Drejtësi në Stamboll tha se, "Agjencia turke e Zbulimit, në një operacion në Kosovë i kapi dhe i solli 6 nga këta përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan. Por, kam një pikëllim. Kryeministri i Kosovës i largoi nga detyra personin në krye të zbulimit dhe ministrin e Brendshëm. Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?", citon agjencia e turke e lajmeve Anadolu.
Ai tha se Haradinaj do të "paguajË" për këtë.
Gjashtë shtetas turq, pesë nga të cilët punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, dhe një mjek, u deportuan të enjten në një operacion ende të pasqaruar të kryer nga shërbimet e zbulimit të të dyja vendeve.
Të premten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi. Të shtunën ai mblodhi Këshillin e Sigurisë pas të cilit tha se ka kërkuar hetim dhe raportim nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për këtë rast, ndërsa ritheksoi se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve.
Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga qeveria e Kosovës për sulmin e presidentit turk dhe asnjë nga zyrtarët e lartë nuk i është përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për këtë çështje.
Turqia është mbështetëse e pavarësisë së Kosovës dhe një nga investuesit që kontrollon kompanitë kryesore në vendin e varfër, përfshirë aeroportin e vetëm në vend dhe sistemin e furnizimit me energji elektrike.
Ekspertë e analistë ndërkombëtarë kanë theksuar shpesh se se Turqia përmes investimeve po provon që të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë por edhe vende të tjera të Ballkanit.
Ndaje me miqte