0030 210 33 18 483

Problem me lejet e qëndrimit. Bie sistemi në gjithë Greqinë

TV TRIBUNA 06 Shkurt 2020

Gjithë qytetarët që ndodhen sot në një nga pikat e shërbimit të emigrantëve në gjithë Greqinë, janë përballur me një të papritur mjaft të pakëndshme:

Sistemi elektronik i lejeve të qëndrimit ka dalë jashtë funksionimit dhe ende nuk dihet se kur do të riparohet defekti.

Kështu, gjatë ditës së sotme nuk kryhet asnjë lloj veprimi që lidhet me lejet e qëndrimit.

Mirëpo, kur mendon se në gjithë Greqinë ka me mijëra njerëz që sot janë ngritur që pas mesnate për të zënë radhën para qendrave të shërbimit dhe nuk do të kryejnë dot punë, nuk ka se si mos të revoltohesh.

Më e keqja është se nuk dihet nëse problemi do të jetë vetëm për sot apo dhe për ditët e ardhshme.

Kujtojmë se e njëjta situatë ishte përsëritur në fillim të vitit 2019 dhe ishin dashur shumë ditë që të rikthehej funksionimi. Aq sa atëherë ministria kishte nxjerrë një qarkore, ku thuhej që zgjatej afati i vlefshmërisë së gjithë lejeve të skaduara që duhej të rinovoheshin gjithë periudhës që vazhdonte defekti.

Natyrisht, edhe defektet janë brenda programit.

Por është e palejueshme që një sistem elektronik kaq i domosdoshëm të mos ketë garanci për funksionim të pandërprerë.

Aq më tepër që emigrantët kanë paguar qimet e kokës për atë të shkretë leje qëndrimi dhe ligji ka përcaktuar që një pjesë e këtyre parave shkon edhe për mirëmbajtjen e sistemit elektronik.

TV Tribuna do ta ndjekë nga afër dhe pa ndërprerje këtë çështje, me qëllim që të informojë sapo defekti të rregullohet.

Ndaje me miqte