Projekti “THEMA” ka bërë bashkë institucione vendore të Shqipërisë dhe Greqisë për promovimin e identiteteve kulturore në rajonin ndërkufitar mes dy vendeve.
Në vijim të zbatimit të Projektit “THEMA”, institucioni i prefektit të qarkut Gjirokastër, së bashku me partnerët e tjerë të kësaj nisme ndërkufitare, ka realizuar turin e dytë studimor në qarkun e Gjirokastrës, me qëllim promovimin e identiteteve kulturore dhe turistike nëpërmjet teknologjive të reja, në shërbim të zhvillimit të rrugëve tematike në rajonin ndërkufitar Greqi-Shqipëri.
Partnerët e Projektit “THEMA”, Qendra për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal RCDC, institucioni i prefektit të qarkut Gjirokastër, Agjencia Kombëtare e Turizmit në Shqipëri dhe Shoqata e Hoteleve të Rajonit të Janinës kanë vizituar javën e parë të muajit dhjetor kalanë e Gjirokastrës, qytetin e lashtë të Antigonesë, Libohovën, Peshtanin, Përmetin, ujërat termale në Bënjë dhe Piskovën, duke parë nga afër potencialin turistik që ofrojnë këto vende me trashëgiminë, historinë, natyrën dhe kulturën që mbartin.