Protesta e opozitës, Berisha flet për "revolucion demokratik"?
Zëri i Amerikës
12 Shkurt 2023
Në Shqipëri përkrahës të opozitës dhe ish kryeministrit Sali Berisha u mblodhën të shtunën para selisë së qeverisë në protestën e radhës, për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Si zoti Berisha ashtu dhe drejtuesi i Partisë së Lirisë, ish presidenti Ilir Meta, nënvizuan se protesta e sotme është vetëm fillimi i asaj që e konsiderojnë një revolucion demokratik, dhe se nuk do të ketë kthim pas. Tubimi i opozitës u zhvillua paqësisht, ndonëse në përfundim të tij, drejt hyrjes qëndrore të kryemnistrisë u hodhën tymuese të shumta
Të gjitha fjalimet që u mbajtën gjatë tubimit kishin në qendër kritikat e forta ndaj qeverisë si përgjegjëse për një varfëri sipas tyre në rritje, për një korrupsion që vetëm thellohet apo për politika që sipas opozitës, po detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendi. Prandaj, për opozitën e vetmja zgjidhje shihet të largimi I kryeministrit Edi Rama.
Për ish presidetin Ilir Meta, numërimi mbrapsht ka filluar: "Populli i Shqipërisë e ka marrë vendimin e tij solemn dhe nuk do të lejojë më që Edi Rama të vazhdojë të uzurpoj zyrën e Kryeministrit, të cilën u provua që e ka kthyer në një çerdhe mafioze ku ndahen paratë dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve. Populli nuk do të lejojë më kurrë, që zyra e Kryeministrit të prodhojë vetëm mjerim, që shpopullon vendin dhe dëbon qindra mijëra shqiptarë dhe sidomos të rinjtë dhe fëmijet nga atdheu i tyre".
Për ish kryeministrin Sali Berisha, i cili ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, protesta e sotme përfaqëson "siparin e revolucionit demokratik për përmbysjen e monizimit të dytë". Sipas tij, kryeministri është "një njeri që urren shqiptarët, i vjedh e i varfëron, që mashtron çdo ditë këtë popull dhe këtë komb, një njëri i cili mendon vetëm e vetëm për pasurimin e tij, një njeri i cili ndjen kënaqësi kur boshatis këtë vend nga banorët e tij, që në çdo mendim ndryshe sheh një armik, njësoj si etërit e tij. Me këtë njeri duhet të ndahemi përfundimisht".
Në fjalën e zotit Berisha një vend të veçantë zuri dhe çështja McGonigall, ish zyrtarit të FBI-së nën akuzë në Shtetet e Bashkuara, e që rezulton të ketë patur një marrëdhënie të veçantë me kryeministrin Rama. Opozita e akuzon kreun e qeverisë se përdori zyrtarin e FBI-së për të shkatërruar opozitën, duke ju referuar hetimeve që FBI-ja hapi, me kërkesë të zotit McGonigall ndaj lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara. Zoti Rama nga ana e tij ka mohuar te ketë lidhje mes tij dhe akuzave ndaj ish zyrtarit të FBI-së.
Opozita e ka kthyer këtë çështje në një kalë të betejës së saj politike, ndërkohë që zoti Berisha përsëriti disa herë se për të realizuar objektivin e saj, opozita është e gatshme për çdo gjë. ""??Unë e di se të gjithë keni ardhur të pregatitur për betejë. Dhe ne jemi në betejë. Por thirrja ime është të shndërrohemi në qytetarë të revoltuar protestues. Të shndërrojmë revolucionin tonë gjer në fitoren. Thirrja ime është çdo ditë, të bëjmë gjithçka për të shkurtuar jetën këtij regjimi. Edi Rama, regjimi i tij duhet përmbysur një ditë e më parë".
Një shi tymuesesh ra mbi shkallët e godinës së qeverisë në përfundim të fjalës së zotit Berisha , i cili më pas i ndjekur nga përkrahësit e tij, shkoi drejt parlamentit ku opozita pritet të zhvillojë një tjetër protestë të hënën, për t’u ndalur më pas dhe te Ministria e Brendshme, Bashkia e Tiranës dhe në fund para godinës së Partisë socialiste. Ra në sy se, pas incidentit të muajit dhjetor, ku zoti Berisha u qëllua me grusht, gjatë ditës së sotme, masat e sigurisë rreth tij ishin shtuar ndjeshëm.
Ndaje me miqte