0030 210 33 18 483

Publikuan fotografinë e tjetërkujt në vend të asaj të përdhunuesit!

Robert Goro 11 Janar 2024

Ishte tronditëse ngjarja në Volos, ku babai mori shpagim ndaj përdhunuesit të së bijës. Tronditëse për faktin se “daja” abuzonte seksualisht dhe më pas përdhunonte sistematikisht mbesën e vet, që nga mosha 9 vjeçe deri në ditën fatale, kur ajo është tashmë 18 vjeç.

Por kjo ngjarje ka pasur edhe një “viktimë asimetrike”, siç do të mund të quhej. Që ndërkaq, ka shkaktuar tërmet në jetën e përditshme të një njeriu të zakonshëm e korrekt.

Mediat greke e më pas ato shqiptare, publikuan një fotografi të viktimës, përdhunuesit 33 vjeçar, bashkë me emrin Erjon Pelivani. Por ajo fotografi nuk kishte asnjë lidhje me emrin e viktimës. Fotografia e publikuar i përkiste Jordan Pelivanit, një inxhiner i ri shqiptar që jeton në Greqi, ku ka ardhur qysh i vogël me familjen e vet nga Delvina.

Dhe që për fatin e tij të keq, kishte të njëjtin mbiemër me viktimën...

Duket se, në garë për të nxjerrë atë që në gjuhën e gazetarisë së verdhë quhet “scoop” – një sukses i bujshëm që në rastin konkret është shndërruar në një fiasko- redaktorët grekë i janë drejtuar kërkimit në Facebook dhe aty kanë “rënë” në profilin e Jordanit prej nga morën fotografinë që bëri xhiron në mediat helene fillimisht e më pas ato shqiptare.

Top Channel dhe Tema, nxorën fotografinë e saktë. Ndërkaq, në shumicën e mediave greke, nën titullin “Ja kush ishte përdhunuesi”, vazhdonte dhe të enjten të ishte fotografia e gabuar...

TV Tribuna komunikoi me Jordanin, i cili nuk ishte i gatshëm të fliste për këtë peripeci të paimagjinueshme. E kush do të mund të fliste pas një ngjarjeje të tillë që rrezikon të shkatërrojë jetën dhe personalitetin e një njeriu të ndershëm që konsideron si mision në jetën dhe veprimtarinë e vet të bëhet përditë më i mirë, për veten, familjen dhe shoqërinë.

Megjithatë, Jordani kishte nxjerrë një njoftim në Facebook pasditen e të mërkurës, ku nënvizonte:

“Sot paradite konstatova se një fotografi e imja qarkullonte në mjaft sajte informative brenda Greqisë dhe pastaj jashtë Greqisë. Të bëj të qartë se nuk kam absolutisht asnjë lidhje me çështjen (ngjarjen në Volos) dhe të tjerat i ka marrë përsipër avokati. U kërkoj ndjesë njerëzve që shqetësova”.

Në kohën e sotme bëhet shumë fjalë për mbrojtjen e të dhënave personale, por në praktikë këto të dhëna dhunohen e përdhunohen pa të keq.

Në anën tjetër, kjo është një dëshmi tjetër e mjerimit ku ka rënë gazetaria, shtylla bazë e së cilës duhet të jetë përjetësish e vërteta dhe vetëm e vërteta.

Ndaje me miqte