0030 210 33 18 483

Putin i premton presidentit Macron pezullimin e sulmeve

ATSH 28 Shkurt 2022

PARIS, 28 shkurt /ATSH-ANSA-AFP/ – Në një telefonatë me presidentin francez, Emmanuel Macron, presidenti rus Vladimir Putin është angazhuar sot të “pezullojë të gjitha sulmet kundër civilëve dhe ndërtesave, njoftoi pallati presidencial francez, Elysee.

Në një bisedë telefonike, Putin u zotua të mbetej në kontakt ditët në vijim për të parandaluar përkeqësimin e situatës, propozuar nga presidenti Macron.

Presidenti Emmanuel Macron i kërkoi Putinit që të ndalojë sulmet kundër civilëve dhe të sigurojë rrugët kryesore në Ukrainë, pika në të cilat presidenti rus “konfirmoi gatishmërinë e tij për t’u angazhuar”, sipas Elysee.

”Macron përsëriti kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund ofensivës ruse kundër Ukrainës dhe ripohoi nevojën për të zbatuar një armëpushim të menjëhershëm”, sipas Elysée.

Macron kërkoi ndalimin e të gjitha sulmeve kundër civilëve dhe vendbanimeve, ruajtjen e të gjithë infrastrukturës civile dhe sigurimin e rrugëve, në veçanti të rrugës në jug të Kievit.

“Presidenti Putin ka konfirmuar gatishmërinë e tij për t’u përkushtuar ndaj këtyre tre pikave”, sipas presidencës franceze.

Emmanuel Macron bëri thirrje gjithashtu për “respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe mbrojtjen e popullatës civile si dhe dërgimin e ndihmave, në përputhje me rezolutën e sjellë nga Franca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

”Presidenti francez foli gjithashtu me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, disa herë gjatë orëve të fundit”, shtoi presidenca franceze.

Ndaje me miqte