KIEV, 22 prill /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin ka sugjeruar bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën në lidhje me zgjatjen e një moratoriumi për sulmet ndaj objektivave të caktuara.
“Rusia ka vënë në dukje se Ukraina po përpiqet të marrë iniciativën për çështjen e armëpushimit, duke kërkuar një zgjatje ose përjashtimin e bombardimit të objektivave të tjera”, tha Putini dje në mbrëmje – duke folur me gazetarët rusë.
“Ne duhet të mendojmë për këtë”, tha ai.
Ndërsa shprehu skepticizëm ndaj propozimit të Kievit për t’u përmbajtur nga sulmet ndaj objekteve civile, ai tha se ishte i gatshëm t’i adresonte çështje të tilla në bisedimet dypalëshe.
“Putini deklaroi se bisedimet dypalëshe në këtë rast nënkuptonin bisedime drejtpërdrejt me palën ukrainase”, theksoi më vonë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Deri më tani, negociatat për një fund të mundshëm të luftës së Rusisë në Ukrainë janë zhvilluar vetëm në mënyrë indirekte midis Moskës dhe Kievit, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së fundi si ndërmjetëse.
“Negociatorët nga SHBA-ja, Ukraina, Britania e Madhe dhe Franca do të takohen nesër në Londër për një raund tjetër bisedimesh për përfundimin e luftës”, tha dje presidenti Volodymyr Zelensky.
Takimi vjen pas konsultimeve javën e kaluar, në Paris – ku sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff u takuan me politikanët evropianë, përfshirë ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.
Administrata Trump ka bërë presion për një armëpushim në konfliktin 3-vjeçar dhe ka rifilluar bisedimet dypalëshe me Rusinë mes frikës evropiane se Ukraina mund të detyrohet të bëjë lëshime të rëndësishme për të ndaluar luftimet.
Ndërkohë, Franca dhe Britania e Madhe kanë udhëhequr të ashtuquajturin “Koalicionin e të gatshmëve” që synon të sigurojë një armëpushim të mundshëm dhe forcimin e Ukrainës.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha se planifikon të diskutojë luftën në Ukrainë dhe përpjekjet e ndërmjetësimit në tre ditët e ardhshme.
Deklarata e tij erdhi në festën e Pashkëve në Shtëpinë e Bardhë, pasi ai u pyet nëse SHBA-ja kishte një propozim – ku i kërkonte Ukrainës të njihte Krimenë si pjesë të Rusisë.
Rusia pushtoi gadishullin ukrainas të Detit të Zi në vitin 2014 dhe më pas e aneksoi atë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
“Kështu që unë do t’ju jap një detaj të plotë gjatë tre ditëve të ardhshme”, tha Trump.
“Por, ne patëm takime shumë të mira për Ukrainën, Rusinë”, shtoi ai pa dhënë detaje të mëtejshme.