Qatargate: Arrestohen dy parlamentarë të tjerë pas hetimeve të BE-së për korrupsion
ATSH
12 Shkurt 2023
Hetimet për skandalin e korrupsionit në Parlamentin Evropian rezultuan me dy arrestime të tjera, konfirmoi një zëdhënës i zyrës së prokurorit publik, në Bruksel.
“Socialdemokrati belg, Marc Tarabella, 59 vjeç, u arrestua dje për korrupsion, pastrim parash dhe anëtarësim në një organizatë kriminale”, tha zyra.
Anëtari italian i Parlamentit Evropian, Andrea Cozzolino u arrestua gjithashtu pas akuzave për ryshfet në lidhje me hetimin.
“Policia italiane arrestoi Cozzolino pasi ai kërkoi trajtim në një spital të Napolit”, sipas medias italiane.
Skandali u shfaq në dhjetor, kur zëvendëspresidentja e atëhershme e Parlamentit Evropian Eva Kaili, ish-deputeti i BE-së, Pier Antonio Panzeri dhe dy të dyshuar të tjerë u arrestuan pas dyshimeve për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion.
Ata u akuzuan se kanë ndikuar në vendimet parlamentare në favor të vendit mikpritës të Kupës së Botës në futboll, të Katarit në këmbim të parave dhe dhuratave.
Ndaje me miqte