0030 210 33 18 483

Qeveria publikon raportin zyrtar të dëmeve prej tërmetit

Zëri i Amerikës 05 Shkurt 2020

Qeveria shqiptare deklaroi sot se dëmet e tërmetit të 26 nëntorit shkuan në rreth 985 milionë euro, kryesisht në banesa, shkolla dhe njësi tregtare.

Ministri i Shtetit Bledi Çuçi publikoi sot në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, Raportin e Vlerësimit të Nevojave pas Katastrofës së Tërmetit, 10 ditë para Konferencës së Donatorëve, që pritet të mbahet në Bruksel.

“Një tërmet shkatërrimtar 6.3 ballë shkaktoi 51 viktima, plagosi një mijë të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz. Prej kësaj katastrofe natyrore u prekën 202 mijë e 291 persona në 11 njësi vendore” - tha zoti Çuçi.

Raporti i publikuar sot më shumë se dy muaj pas tërmetit do të jetë dokumenti themelor për Konferencën e Donatorëve dhe për gjithë programet e rindërtimit në vazhdim.

“Më shumë se 21 vende të BE-së e ndihmuan Shqipërinë gjatë tërmetit përmes mekanizmit të emergjencës. Shqipëria u trajtua si të ishte një vend anëtar i BE-së, me të njëjtën kujdes dhe mbështetje si për anëtarët e tjerë të Unionit” - tha ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca.

Tërmeti shkatërroi një numër të madh banesash, pallatesh, shkollash dhe biznesesh në qarqet Durrës, Lezhë e Tiranë. Krahas operacioneve të emergjencës, Shqipëria u ndihmua shpejt nga Bashkimi Europian, SHBA, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore.

“Një ndihmesë dhe solidaritet të madh treguan miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Një javë pas katastrofës qeveria shqiptare kërkoi mbështetjen e Bashkimit Europian, Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore për vlerësimin e plotë të nevojave pas katastrofës, dëmet, humbjet dhe rikuperimet nga tërmeti” - tha ministri Çuçi.

Opozita ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të situatës pas tërmetit, madje ka paditur dy ministra dhe 4 bashkiakë si përgjegjës për vdekjet që shkaktoi tërmeti.

Ndaje me miqte