0030 210 33 18 483

Qeverisja e nesërme ka fytyrën time, tënden...

Juli NDRIKO

23 Prill 2021

Si çdo rast ku medalja ka dy anë, edhe procesi zgjedhor ka gjithashtu dy të tilla. Politika, e gjithë bashkë është njëra anë. Ne, votuesit jemi ana tjetër.

 

Ndërsa vetëm dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, shumë gjëra kanë ndodhur këtë javë në Atdheun tonë. Disa brenda normalitetit me të cilin tashmë jemi mësuar, e ca të tjera nga ato me të cilat nuk kemi dashur dhe as duam të mësohemi.

Kështu, krahas konflikteve mes partive për ca banderola të vendosura aty ku, sipas autoriteteve nuk duhet të vendoseshin, patëm plot akuza për shitblerje vote dhe intimidim të votuesit, u njohëm me termin e ri të fjalorit shqiptar patronazhistët, çka shkaktoi mjaft pështjellim dhe i vuri palët në pozita sulmi e mbrojtjeje, pamë video ku kamionë ngarkoheshin me ushqime për familje të ndryshme, emrat e të cilëve ishin në blloqet e partive, (në këto raste të PS-së në pushtet), mësuam se shqiptarët e Greqisë dhe të Maqedonisë së Veriut, pasi nuk iu mundësua, si ishte premtuar votimi, do të përjashtoheshin nga e drejta e tyre për të zgjedhur edhe po të udhëtonin drejt atdheut me një vendim të Komitetit Teknik që i detyron të karantinohen për 14 ditë etj…, për të ardhur deri tek përgjakja e zgjedhjeve ditën e djeshme, në një konflikt të pastër zgjedhor për të cilën palët, si përherë, lëshuan një lumë të madh akuzash për njëra-tjetrën.

Dhe për t’i dhënë fund javës së fundit të fushatës, nuk duhet të harrojmë Ilir Metën, i cili me thirrjet e tij për mprehje të sfurqeve dhe armëve në mbrojtje të votës, zhveshi dhe luspën e fundit të pelerinës presidenciale, në funksion të qëllimit të tij të madh që nuk lidhet me unitetin e kombit për të cilin u mandatua, por me ekzistencën e LSI-së, për të cilën shifrat e sondazheve por dhe bisedat nën zë, thonë se e ka të vështirë t’i rezistojë 25 Prillit 2021. Kaq e vërtetë është kjo sa në thirrjen e menjëhershme, që Ambasada Amerikane lëshoi pas vrasjes dhe ngjarjeve të Elbasanit, u pa qartë se ajo iu drejtua edhe Metës, ashtu sikur Ramës e Bashës që garojnë me njëri-tjetrin. Duke kërkuar vetëpërmbajtje dhe duke përsëritur deklaratën se si ata që janë në pushtet, dhe ata që kërkojnë pushtet, duhet të refuzojnë qartazi dhunën, Ambasada Amerikane nuk e përmendi fare Monikën e LSI-së dhe të Metës.

Por si çdo rast ku medalja ka dy anë edhe procesi zgjedhor ka gjithashtu dy të tilla. Politika, e gjithë bashkë është njëra anë. Ne, votuesit jemi ana tjetër. Duke menduar kështu dhe teksa nisa të zhgarravis këto dy rreshta sot, vetëm dy ditë larg zgjedhjeve, mu kujtua shprehja e famshme e Joseph de Maistre: "Çdo popull meriton qeverinë që ka". Shprehja lapidare e brilantit të oratorisë ka thelb natyrisht por, sa herë mendoj për Shqipërinë time, vihem në dyshime të arsyeshme për të.  Ka plot të mençur në vendin tim, njerëz që e duan dhe përpiqen çdo ditë me shembullin e tyre të zhvillojnë demokracinë. Ka mikpritës dhe të ndershëm, të etur për dije dhe dijetarë të respektueshëm, por prapë as ata dhe as gjithë të tjerët nuk ia kanë dalë të kenë qeverinë që meritojnë. Sepse çka na është servirur në zgjedhje, janë përherë ata që nuk i duam. Ndaj ende ruajmë atë proverbin e lashtë sa njerëzimi “Mes të këqijave, le të zgjedhim më të voglën”.

Dhe na kanë lënë ata që zgjedhim të varfër, të bindur se me varfërinë tonë mund të qëndrojnë gjatë në karrigen e pushtetit që u ka siguruar perandoritë financiare që i bëjnë të fortë, arrogant e të paprekshëm.

Por këto zgjedhje kanë ca gjëra ndryshe dhe secili duhet ti shfrytëzoj.

Është impresionuese se si ndërkombëtarët e gjendur në Shqipërinë nënshkruese të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, anëtare e NATO-s dhe kandidate për në BE, janë bërë bashkë për të kërkuar ndryshimin. Çdo deklaratë e tyre shkon në favor të ndryshimit që lidhet me fundin e tranzicionit. Si asnjëherë më parë qëllimet e tyre artikulohen qartë: Ata duhet të jenë të sigurt për partnerët e tyre, përfshirë dhe Shqipërinë. Dhe në këtë luftë kaq të acaruar gjeopolitike kjo është kaq e rëndësishme.

Ka dhe një favor tjetër përtej deklaratave solidare të ndërkombëtarëve. Listat e kandidatëve, qofshin dhe ashtu gjysmë të hapura, si janë. Në optikën time ato janë hapat tona të parë që do të mundësojnë rritjen e ndërgjegjes tonë kombëtare, pa të cilën do të vazhdojmë të vërtitemi qorrazi në një humnerë pa rrugëdalje.

Fletët e votimit do të kenë sigla dhe numra këtë herë dhe do duhet të mbajmë mend mirë numrat. Por çdo votues duhet të mendohet mirë para se të shënojë + apo x në kutinë e fletës së votimit. Kur të merrni fletën e lapsin për të shënuar, përfytyroni veten në atë kuti, pastaj fëmijën tuaj, prindërit tuaj, miqtë tuaj. Nëse gjeni përputhje, shënoni, nëse jo shkoni më tej. Bëjeni prapë përfytyrimin, kuti mbas kutie derisa të gjeni të ngjashmin tuaj. Aty sigloni dhe shkoni të qetë, jo vetëm se ushtruat të drejtën tuaj për të zgjedhur, por dhe se keni zgjedhur me ndërgjegjen tuaj, për veten dhe familjen tuaj, për vendin tonë.

Vetëm duke votuar kështu do të mund të sjellim fundin e tranzicionit, do të mund ta bëjmë Shqipërinë vendin prej të cilit nuk duam të ikim, do të mund të çojmë në Parlament mendjet që ndriçojnë dhe jo kostumet me ngjyra blu, të kuqe a vjollcë. Vetëm kështu do mund të rrëzojmë më në fund Joseph de Maistre-në dhe të shohim se si qeverisja e nesërme, cilado qoftë ajo, do të ketë fytyrën tënde, timen, tonën!

Ndaje me miqte