0030 210 33 18 483

Rama: “Akti i Metës, brutal, i papërgjegjshëm dhe i patolerueshëm”

16 Qershor 2019

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama foli sot sërish për një akt në shkelje të kushtetutës nga ana e presidentit Ilir Meta, me anullimin e 30 Qershorit si datë të zgjedhjeve vendore. Në parlament gjatë seancës dedikuar kësaj çështjeje, ai ritheksoi se zjedhjet do të mbahen në datën e caktuar. Nga ana e tij kryetari demokrat Lulzim Basha tha sot se me përpjekjet e tij kryeministri po konsumon një grusht shteti dhe se 30 Qershori nuk ekziston më si datë nga pikëpamja kushtetuese.

“Një akt brutal, transgresiv, i papërgjegjshëm dhe i patolerueshëm”. Me këto fjalë kryeministri Edi Rama etiketoi vendimin e së hënës të presidentit Iir Meta për anullimin e datës së zgjedhjeve.

Duke folur më tej për aventura politike që sipas tij bëhen për llogari të njërit apo dikujt tjetër, zoti Rama ripërsëriti qëndrimin e tij dhe të shumicës që drejton se "ne nuk ka asgjë që na tund nga 30 qershori. Pse ne jemi të detyruar ta pranojmë si të keqen më të vogël për demokracinë tonë të re, zgjedhjen fatale, të gabuar, të kundërshtarëve tanë për të na lënë në garën zgjedhore me një kandidat në pjesën më të madhe të bashkive të vendit. Pse ne, nëse do tërhiqeshim nga ky proces, në emër të të gjithë atyre arsyeve që në pamje të parë duken të mirëkuptueshme kur renditen për të argumentuar shtyrjen e zgjedhjeve, ne do të merrnim përgjegjësinë historike të pranimit të së keqes më të madhe të mundshme, duke i vënë minat shtetit, bazës së rregullave të bashkëjetesës demokratike dhe vetë demokracisë sonë në zhvillim”.

Rama foli për lëvizje të llogaritura të Presidentit të rreshtuar politikisht dhe në bashkëpunim me ish kryeministrin Sali Berisha, që sipas tij e kanë bazën te zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe pengimi I procesit të integrimit europian, por që me dekretin për anullimin e datës kanë kaluar përtej imagjinatës, e “prandaj nuk mund të tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit me pëlqimin tonë. Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe Presidenti i kësaj Republike është garant i unitetit kombëtar, jo interpretuesi subjektiv i Kushtetutës në funksion të sulmeve kundër Republikës sonë parlamentare dhe të qëllimeve të mbrapshta politike të kujtdo qoftë. Lëre pastaj që qëllimet e mbrapshta, janë edhe të tijat”

Socialistët deklaruan dy ditë më parë se kishin nisur procedurat për shkarkimin e presidentit Meta, por deri më tani, kërkesa e një të katërtës së deputetëve që përbën dhe hapin e parë, nuk është zyrtarizuar ende. Ndërsa në fund të seancës së sotme miratuan një reozlutë të posaçme e cila mori dhe votat e shumë prej deputetëve të rinj të opozitës.

Ndaje me miqte