Rama-Bashës: Jeni në garë, kush është kukulla dhe kush është pengu
ATSH
07 Tetor 2021
TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit, duke replikuar me kreun e PD, Lulzim Basha se, “të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër është tipari karakteristik i mendjelehtësisë”, ndërsa diskutohet Akti Normativ që i hap rrugën mbërritjes së 500 mijë dozave “Pfizer” brenda 3 muajsh.
Basha akuzoi qeverinë se po gënjen me shifrat e pandemisë dhe vaksinimit.
“U bënë 8 vjet që përsërisni të njëjtën gjë, merrni të njëjtin rezultat dhe prapë përsërisni të njëjtën gjë, dhe prapë merrni të njëjtin rezultat. Dhe natyrisht duke përsëritur përsëri të njëjtën gjë, të njëjtin rezultat do merrni prapë”, tha Rama.
“Dhe nuk ju shpëton transferimi i përgjegjësisë përmes fantazive dhe sajesave për masakrat elektorale. Se aty ju kam gjetur, aty do ju lë nëse do vazhdoni të përsërisni të njëjtën gjë pa pushim, duke i marrë shqiptarët për budallenj. Por natyrisht kjo është zgjedhja juaj dhe nuk jam unë që duhet t’ju inkurajoj të shikoni zgjedhjen tuaj. Aq më pak tani në këto kushte kur jeni në një garë kush është kukulla, kush është pengu dhe kush shpif e shan më shumë për të treguar që s’është as kukull dhe as peng”, theksoi Rama.
“Faktet janë fakte, ju mund t’i thoni shqiptarëve çfarë të doni, por urtësia dhe mençuria e një populli ka një barometër ditën e gjykimit dhe u bënë 5 ditë gjykimi rresht ku populli ju thotë ‘hej, këta s’janë më të mirët, por ju ta harroni me këto mend që keni’”, u shpreh Rama.
Rama u shpreh se, “dje në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor të gjithë ata të vendeve më të pasura, ata të vendeve më pak të pasura, ata të BE-së, ata të Ballkanit Perëndimor, kryefjalën e shqetësimit kishin, çfarë mund të bëjmë së bashku siç bëmë me pandeminë për të përballuar furtunën e krizës energjetike”.
“Ju, të dyja palët, si pengu, si pengmarrësi, u thoni shqiptarëve Shqipëria nuk ka lidhje me tregun ndërkombëtar. Shqipëria nuk ka lidhje me çmimet e bursës, Shqipëria ka ujë. Po thatësirë ka Shqipëria? Del Shqipëria në treg për të blerë energji, apo nuk del? Kur qeverisnit ju dilnit në treg ju për të blerë energji apo nuk dilnit?”, u shpreh Rama.
“E dyta, ju u thoni shqiptarëve, fatura e energjisë në Shqipëri është më e larta në rajon. Është e pavërtetë, është thjesht e pavërtetë. Siç është e pavërtetë diçka tjetër, fatura e energjisë dhe të gjitha faturat në sistemin që kemi zgjedhur dhe për të cilin, ju, me të drejtë, jeni krenarë që ishit pararoja si mishërimi i lëvizjes antikomuniste, kemi vendosur që të kalojmë nga ekonomia komuniste e centralizuar, e cila vendoste çmimet, me urdhër nga lart, në lirinë e tregut kapitalist. Dhe rritja e çmimit në bursë të një malli, qoftë energji, qoftë naftë, çfarëdo qoftë, qoftë miell, nuk pyet, as se Spanja ka më shumë, as se Shqipëria ka më pak. Ju, partia e qendrës së djathtë, ju, partia e liberalizimit të tregut, kur ju dëgjon të flisni, po të mos ju njohësh, të mos ta dish nga vini, mendon që jeni mbeturina të Partisë së Punës, nga mënyra sesi flisni. Konceptet tuaja janë mbeturina të sistemit të vjetër”, tha Rama.
Tani, iu drejtua Rama deputetëve të opozitës, “më thoni, me gjithë taksën e karbonit brenda, a është e vërtetë që sot nafta është më lirë se ç’ishte ditën kur ju latë qeverinë? A është apo s’është e vërtetë? Unë po ju jap tabelën. Në vitin 2013, dieseli 182 lekë, benzina 186 lekë. Shkoni merrni tabelën sa e blenin shqiptarët në momentin kur ju ishit ende në qeveri, dieselin. Sa lekë nxirrte nga xhepi një drejtues automjeti, në Shqipërinë që qeverisnit ju për të blerë naftën, dieselin dhe benzinën dhe sa nxjerr sot? Sot dieseli është 177, tani që flasim. Dje ishte 182. Dhe në ndërkohë, patjetër që brenda çmimit të dieselit dhe benzinës që dje ishte 186, sot është 179 është brenda dhe detyrimi për të gjithë ata që djegin diesel dhe benzinë, t’ia kthejnë shoqërisë me taksën e karbonit. Patjetër, nuk diskutohet”.
Dhe kjo, shtoi Rama, “nuk ka lidhje me çmimin e bukës. Sepse po ju njoftoj që sot e gjithë ditën furrat e bukës, që kur ne kemi ardhur në qeveri, energjinë e marrin me çmim preferencial. Dhe rritja e çmimit të bukës, nuk ka lidhje fare me asgjë tjetër, përveçse përsëri me konjukturën ndërkombëtare dhe me bursën”.
“Kemi zgjedhur, dhe ju keni qenë pjesë, dhe u bëtë pastaj edhe mishërimi politik, i asaj lëvizje ekonominë e lirë të tregut dhe kemi zgjedhur të jetojmë në një vend të hapur. Vend i hapur do të thotë të përfitojmë nga të gjitha të mirat dhe të marrim dhe goditjet që sjell të qenit vend i hapur. Se mbase po të ishim në kohën e vendit të mbyllur, as virusi nuk do kishte hyrë dot këtu brenda, se as dilte njeri jashtë, as vinte njeri nga jashtë. Mbase. Por këto shkojnë bashkë”, theksoi Rama.
Ndaje me miqte